TIRANË- Një javë pasi Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin e plotë për Erion Veliajn, me të cilin urdhëroi Gjykatën e Lartë të rishqyrtojë masën e sigurisë "arrest në burg", mbrojtja e kryebashkiakut të Tiranës ka kërkuar përshpejtimin e rigjykimit të çështjes. Edhe pse dosja ende nuk ka mbërritur zyrtarisht nga Gjykata Kushtetuese në Gjykatën e Lartë, siç sqarojnë burime për gazetaren e Report Tv Keti Banushi, avokatët kanë depozituar kërkesën për shqyrtim me përparësi, së bashku me parashtrimet, duke argumentuar se çdo vonesë cenon lirinë personale të Veliajt, ushtrimin e mandatit të tij si kryebashkiak dhe funksionimin e Bashkisë së Tiranës.
Mbrojtja argumenton se çështja duhet të shqyrtohet sa më shpejt, pasi çdo vonesë po konsumon kohën e ushtrimit të mandatit të tretë të Erion Veliajt, i cili përfundon në qershor 2027. Sipas avokatëve, edhe nëse Gjykata e Lartë do të vendoste më vonë në favor të tij, koha e humbur në ushtrimin e detyrës nuk mund të rikthehet as për Veliajn dhe as për qytetarët që e votëbesuan në vitin 2023.
"Kërkesa për përshpejtim nuk mbështetet në një interes abstrakt për shqyrtim të shpejtë, por në pasoja konkrete dhe të përditshme mbi lirinë personale, mbi ushtrimin e mandatit të fituar me votë dhe mbi funksionimin e qeverisjes vendore në Bashkinë e Tiranës. Z. Erion Veliaj e ka marrë zyrtarisht mandatin e tretë si Kryetar i Bashkisë së Tiranës në qershor 2023. Ky mandat përfundon në qershor 2027. Në momentin e paraqitjes së kësaj kërkese, ka kaluar më shumë se gjysma e mandatit dhe mbetet më pak se një vit deri në përfundimin e tij. Çdo vonesë në rigjykim nuk është, për rrjedhojë, thjesht vonesë procedurale; ajo konsumon vetë kohën e mandatit dhe e bën gjithnjë e më të pakthyeshme pasojën që masa e sigurimit ka prodhuar mbi ushtrimin e funksionit publik, si dhe të pazbatueshëm efektivisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, edhe një vendim eventualisht pozitiv i Gjykatës së Lartë, nëse jepet pasi koha reale e mandatit të jetë konsumuar në mënyrë të konsiderueshme ose pranë përfundimit, do të rrezikonte të mbetej pa efekt praktik, pasi nuk do të mund të rikthente në mënyrë reale periudhën e humbur të ushtrimit të mandatit, as të riparonte pasojën institucionale të krijuar nga pamundësimi faktik i funksionit të Kryetarit të Bashkisë dhe as cenimin e së drejtës së qytetarëve dhe zgjedhësve për t’u qeverisur nga përfaqësuesi i zgjedhur prej tyre. Mandati i të zgjedhurit vendor është për një periudhë të kufizuar dhe të pakthyeshme kohe. Në rastin konkret, ai përbëhet nga 48 muaj, nga qershori 2023 deri në qershor 2027. Çdo muaj vonesë në rishqyrtim nuk mund të kompensohet më vonë, sepse nuk mund t'i kthehet as z. Veliaj dhe as zgjedhësve të Bashkisë së Tiranës koha e humbur e ushtrimit efektiv të mandatit", thuhet në kërkesë.
Në vendimin që do duhet të rimarrë për qytetarin e parë të Tiranës, Gjykata e Lartë do duhet të arsyetojë a është proporcionale masa “arrest me burg” në raport me pozicionin që Veliaj ka si kryebashkiak. Fakt që evidentohet edhe nga mbrojtja në kërkesën për përshpejtimin e çështjes, duke thënë se Gjykata e Lartë nuk duhet të kufizohet vetëm në përsëritjen e arsyetimit të mëparshëm, por duhet të bëjë një vlerësim të ri të çështjes.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka kthyer çështjen për një verifikim formal të arsyetimit të mëparshëm. Ai ka identifikuar mungesë kontrolli efektiv nga Gjykata e Lartë mbi pretendime që prekin substancën e lirisë personale, proporcionalitetin e masës 'arrest në burg', efektin e saj mbi mandatin e zgjedhur, dinjitetin njerëzor, prezumimin e pafajësisë dhe mbrojtjen efektive. Kjo do të thotë se rishqyrtimi duhet të jetë real, aktual dhe i lidhur me gjendjen juridike e faktike në momentin kur Gjykata e Lartë vendos. Në këtë moment, çështja nuk ndodhet më në të njëjtën situatë si në kohën e vendimit të shfuqizuar: masa ka vijuar edhe më gjatë, pasojat mbi mandatin janë bërë më të rënda, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar detyrimin e Gjykatës së Lartë për t'u dhënë përgjigje substanciale pretendimeve të mbrojtjes. Pikërisht për këtë arsye, përshpejtimi i rigjykimit është i domosdoshëm”, thuhet në kërkesë.

Kliko këtu për të lexuar parashtrimet e Veliajt

Kliko këtu për të lexuar kërkesën për përshpejtim
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi në përditësim....
Komente







