MAQEDONI- Jehona e manipulimeve në Tiranë ka mbërritur edhe në Maqedoni, kur duke iu referuar edhe informacionit ekskluziv të përcjellë nëpërmjet televizionit “A1 Report”, mediat vendase kanë raportuar se në Tiranë, 450 votues i kanë thënë “PO” VMRO-DPMNE-së, 1 ka votuar për BDI, 4 për LSDM dhe dy për RDK. “Ina-Online” ka raportuar se tre deputetët e diasporës i ka fituar pikërisht partia në pushtet VMRO-DPMNE. Menjëherë pas votimit, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti pohoi se ka marrë shumë informacione për manipulime, por ato do t’i përcillen instancave përkatëse dhe faktorit ndërkombëtar.

“Kemi shumë informacion, kemi përcjellë me kujdes situatën dhe të gjitha do të ja bëjmë me dije opinionit por edhe faktorëve në vend. I gjithë procesi është vëzhguar, por kjo është një çështje që do të hapet për analizë, për studim, pasi të mbyllet cikli zgjedhor në vend.” tha Ahmeti.

Ai theksoi edhe njëherë rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve për Maqedoninë.
 
Ndërsa kryetari i partisë Demokratike shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi, tha se shpreson se këto zgjedhje do të jenë më të mirat, ndërsa nuk ngurroi të akuzojë partitë oponente për votime familjare.

​“Pres që këto zgjedhje të jenë korrekte, demokratike, dhe mëtë mira se zgjedhjet e mëparshme presidenciale të përcjella në një atmosferë dhe trysni tërësisht jodemokratike. Vazhdojmë të kemi probleme të njëjta në disa vende të vjetra ku oponenti politik tenton me çdo kusht që të jetë votim familjar, grupor, një njeri për shumë njerëz. Megjithatë ata kanë vështirësi. Ata vende do të prishen nëse tentohet edhe më tutje kështu të votohet.” u shpreh Thaçi.
 
Gjatë ditës së diel u zhvilluan zgjedhjet të vlefshme për zgjedhjen e presidentit, por edhe të qeverisë. Ato janë shoqëruar me incidente të izoluara në Maqedoni, ndërsa fjalën e fundit pritet ta thotë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Më shumë problematika janë vërejtur në zgjedhjet për deputetët e diasporës.

Redaksia Online
(l.n/e.s/shqiptarja.com)