TIRANË - Fryrja financiare e faturave të ujit në disa zona të Tiranës ka bërë që prokuroria e kryeqytetit të nisë hetime, duke kryer verifikime në dy drejtime. Hetimet janë përqëndruar tek dyshimet se gjithçka ka ndodhur nga veprime të qëllimshme nga ana e ish-drejtuesve të ndërmarjes “Ujësjellës Kanalizime Sh.a”, pasi në pamundësi për të kapur planin e arkëtimeve financiare nga abonentët e ujit, ka shumë gjasa që ish-drejtori Neritan Gjojdeshi të ketë urdhëruar specialistët e IT-së për mbifaturime selektive në disa zona.

Dyshimet flasin se këto mbifaturime, mund të zeroheshin më pas, në muajt në vijim të 2016. Kjo pasi muaj e fundit ndërmarja “Ujësjellës Kanalizime Sh.a”, nuk ka mundur të realizojë planin e arkëtimeve. Këto dyshime, për një urdhër të qëllimshëm nga ana e ish-drejtuesve të ujësjellësit me qëllim mbushjen e arkës së ndërmarjes,prokuroria po i kërkon në një sërë dokumentash dhe se në ditët në vijim pritet që të marrë në pyetje ish-drejtorin Gjojdeshi dhe disa nga specialistët e IT-së.

Gabimi nga IT-ja
Ndërkohë që një tjetër drejtim ku tashmë po heton prokuroria është dhe tek veprimet e specialistëve të IT-së që mirëmbajnë sistemin elektronik të matësve të ujit. Ndërhyrja në sistem e inxhinierëve të kompanisë private, dyshohet të jetë dhe një veprim për krijimin e një skandali, me qëllim sabotimin e punës së ujësjellësit. “Shqiptarja.com”, mëson se e njëjta kompani ka bërë dhe ndërtimin e softëereve të kompanisë OSHEE, e cila ashtu si ndërmarja e ujësjellësit ka një sistem thuajse të njëjtë, për leximin dhe printimin e faturës elektronike.

Por a ka ndodhur ky skandal që ndodhi me softëeret e ujësjellësit edhe tek kompania OSHEE?Për të hedhur dritë mbi këtë skandal të vjedhjes së qytetarëve, prokuroria do verifikojë në disa drejtime, ku fillimisht do meren në pyetje specialitët e IT-ve, pasi janë ata që mirëmbajnë rjetin e softëereve. Në fakt janë pikërisht këta persona që kanë dhe pasëordet e këtyre sistemeve dhe që kanë akses në çdo moment për të hyrë në to. Këto sisteme mirëmbahen nga një kompani private, që mësohet të ketë fituar tenderin gjatë kohës kur kompania drejtohej nga Sait Dollapi.

Sot e kësaj dite kjo kompani vijon të mirëmbajë të gjithë rjetin, ndërkohë që dyshimet për sabotime kanë rënë pikërisht tek inxhinjerët e kësaj kompanie. Fakti i ndërhyrjes së tyre qëllimisht në sistem, nuk është konfirmuar zyrtarisht me fakte, por drejtuesit e UKT-së Tiranë, kanë hedhur dyshime të forta mbi ta, duke tentuar të shmangin përgjegjësinë nga vetja.
 
Ekspertim Serverit. Dosja e ujësjellësit e ngjashme me serverin e tatimeve
Pavarësisht kësaj, tashmë kjo dosje thuajse e njëjta nga natyra e hetimit me atë të serverit të tatimeve, ka nevojë të hetohet imtësisht. Pritet që në ditët në vijim prokuroria e Tiranës të kërkojë dhe ekspertimin e servave, ku mendohet se është ndërhyrë për kryerjen e mbifaturimeve. Në ditët në vijim akuza pritet të marrë në pyetje zyrtarët e Ujësjellës Kanalizime Tiranë, mes tyre dhe drejtorin e shkarkuar Neritan Gjojdeshi.

Po kështu në listën e personave që do pyeten do jenë dhe inxhinjerët që mirëmbajnë të gjithë rjetin e softëereve, që bën dhe printimin elektronik të faturave të ujësjellësit. Në deklaratën e tij në media, ish-drejtori hoqi përgjegjësinë nga vetja duke e quajtur rastin si sabotim, me qëllim prishjen e imazhit të ndërmarjes që po reformohej. Por justifikimi i paraqitur nga UKT vetëm pas protestës publike, zbulon që në fakt ndërmarrja publike nuk ka bërë asnjë kontroll parandalues për të shmangur abuzimet në kurriz të qytetarëve.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)