FIER- Tre ish-komisionerët e komunës Ruzhdie në Fier, të shpallur në kërkim për falsifikim të dokumenteve në zgjedhjet e 2009-ës, janë arrestuar ditën e sotme. Këta ish-komisionerë akuzohen për shpërdorim detyre.
 
Arrestimi i tre ish-komisionerëve Robert Myftari, Veledin Myftari, Vladimir Kararaj, është bërë i mundur pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Vlorë.

Fillimisht për  tre ish-komisionerët e PD në zgjedhjet e 2009, ishte dhënë masa detyrim paraqifje, por më pas çështja shkoi në Gjykatën e Apelit.
 
Një javë më parë, kjo gjykatë dha masën e sigurisë “arrest me burg” për këta tre persona.

MURAT ZAZA: NË QENDRËN E VOTIMIT ËSHTË BËRË PRESION
Në një lidhje telefonike për “A1 Report”, kryetari i Partisë Socialiste për komunën Ruzhdie, Murat Zaza lidhur me ngjarjen në ditën e zgjedhjeve të 2009, tha se “Çdo informacion që kam marrë është bërë i njohur, atje është bërë presion. Donte të bëhej një votim në grup për një familje. Diktoheshin njerëzit për cilën forcë të votonin. Për t’iu shmangur konflikteve, komisionerët e majtë u tërhoqën. Me sa kam dijeni, çështja u gjykua nga Gjykata e Shkallës së Parë në Fier, dhe tashmë edhe nga Gjykata e Apelit në Vlorë”.