Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe njëherazi ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani është kundër protestës së kryebashkiakut Erion Veliaj te Gjykata Administrative.
 
Manjani deklaroi sot gjatë një prononcimi për media jashtë seancës se Kuvendit se ishte dakord me qëndrimin e Akademikut Artan Fuga.
 
“Jam dakord me profesor Artan Fugën”, tha Manjani.
 
Në një shkrim një ditë më parë, Profesori i Gazetarisë, Artan Fuga u shpreh se protesta e kryebashkiakut ishte fundi i edukatës së shtetit ligjor, ndërsa i këshillonte Veliajt që të ndiqte rrugën ligjore dhe t’i drejtohej instancave të tjera të drejtësisë, për pretendimet e tij ndaj Gjykatës Administrative.
 
Paraditen e djeshme, kryetari i Bashkisë së Tiranës organizoi një protestë përpara Gjykatës së Apelit Administrativ.
 
Qëllimi i protestës ishte ndryshimi i trupës gjykuese, lidhur me procesin gjyqësor mes Bashkisë së Tiranës dhe firmës që po ndërton kompleksin e pallateve te diga e liqenit.
 
Sipas Veliajt, një prej gjyqtareve në proces është në konflikt interesi, pasi familjarë të saj janë aksionerë në firmën që po ndërton 17-katëshin. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com