TIRANE - Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani është shprehur sot se në çdo bashki duhet të ketë një Gjykatë Pajtimi. Sipas kreut të Drejtësisë shqiptare, krijimi i gjykatave të reja është në harmoni me traditën shqiptare, si edhe shmang fluksin në gjykatat aktuale.
 
“Kam qenë dhe mbetëm përkrahës dhe do ta suportoj shumë idenë e krijimit të Gjykatave të Pajtimit. Unë besoj që paqja është në traditën e shqiptarit. Neve na intereson për efekt të organizimit shtetëror, që ta lirojmë gjykatën normale nga ngarkesa ose nga mbingarkesa me çështje të cilat në thelb zgjidhen shumë më mirë apo shumë më thjeshtë. Të paktën, në çdo bashki të re ne duhet të kemi një Gjykatë Paqtimi, me qëllim që njerëzve në komunitet t’u ofrohet mundësia e pajtimit. Nëse ky proces do të ndërtohet mirë, do të jetë një instrument shumë funksional për shoqërinë shqiptare, por edhe për shtetin”, u shpreh Manjani gjatë takimit të sotëm me Forumin e Shoqërisë Civile për Reformën në Drejtësi. 

Gjatë takimit, përfaqësues të forumit parashtruan një sërë propozimesh lidhur me reformën në drejtësi.
 
Ndërsa, ministri u shpreh se mbetet përkrahës i bashkëveprimit mes shoqërisë, politikës dhe ekspertëve, duke e cilësuar këtë bashkëveprim si një mundësi që do të krijonte klimën e besimit të publikut, veçanërisht tek gjyqësori.

Redaksia Online
(m.b/Shqiptarja.com)