SHKUP  – Mijëra qytetarë në shenjë proteste shprehën pakënaqësinë ndaj Qeverisë së Maqedonisë, e cila nga 1 janari i vitit 2015 propozon ligj të ri për pagesën e kontributeve personale për honorarët, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Në protestën e organizuar nga Sindikata e Gazetarëve të Pavarur dhe Punonjësve të Medias (SPGP), gazetarë, përthyes, punëtorë turistik dhe shumë punëtorë të tjerë me honorarë të mbledhur nga parku “Zhena Borec” përballë Parlamentit të Maqedonisë u drejtuan për në godinën e Qeverisë së Maqedonisë për të kërkuar anulimin e ligjit që do të prekë 150 mijë persona.
 
Kryetare e SPGP-së, Tamara Çausidis, tha se me këto ndryshime më shumë do të preken gazetarët, pasi që një në tre gazetar punon me honorar. “Kjo revoltë që sot ne tregojmë është pasojë e injorimit të ligjit sepse këto ndryshime do të varfërojnë edhe më shumë të varfrit, ndërsa do të pasurojnë të pasurit”, u shpreh Çausidis, duke shtuar se janë mbledhur që publikisht të tregojnë revoltën e tyre sepse këto janë masa të rreme sociale që janë shumë të qarta.
 
Nga 1 janari i vitit 2015 do të zbatohet mënyrë e re për pagesë të sigurimit pensional, invalidor dhe kontributit për sigurim të obligueshëm shëndetësor për personat që firmosin kontratë në vepër, në kryerjen e punës fizike ose intelektuale, me të cilën caktohet kompensimi për punën e kryer që në shumën neto është më e lartë se sa paga mujore minimale, e cila është 8 600 den. Kjo do të vlej për ato që nuk janë të punësuar dhe që marrin honorare, ndërsa për të punësuarit që përveç pagës kanë të ardhura të tjera më të mëdha se paga minimale në vend të tatimit personal prej 10%, nga viti i ardhshëm do të paguhet edhe 17.6% për sigurim pensional dhe 7.3% për sigurim shëndetësor.
 
Në ndryshimin e ligjit për sigurim shëndetësor, pensional dhe invalidor nuk do të përfshihen kontratat për e honoraret e sportistëve profesional, funksionarëve, deputetëve, këshilltarëve, përkatësisht të emëruarit dhe të zgjedhurit qeveritar.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)