15 maj /ATSH-AFP/ - Opozita e majtë maqedonase do të organizojë të dielën një manifestim të madh në Shkup për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit konservator të kësaj ish-republike jugosllave përfshirë që prej disa muajsh nga një krizë e rëndë politike.
Ky manifestim do të zhvillohet një javë pas përleshjeve të dhunshme mes forcave maqedonase të sigurisë dhe një komandoje me origjinë shqiptare, ku mbetën të vrarë 22 persona, tetë policë dhe 14 anëtarë të grupit të armatosur në Kumanovë.
Komuniteti ndërkombëtar, që i trembet një konflikti të ngjashëm me atë të vitit 2001 në këtë vend ballkanik, ka paralajmëruar kundër një përshkallëzimi të tensioneve.
Sot, partia e liderit të opozitës Zoran Zaev (SDSM) u bëri thirrje maqedonase të marrin pjesë masivisht në këtë manifestim që do të zhvillohet të dielën.
"Qytetarë, ka ardhur momenti të tregojmë se ne nuk dëshirojmë më të jetojmë në një shtet të drejtuar nga kryeministri, Nikola Gruevski. Takohemi të dielën", sipas një komunikate të partisë së opoztizës SDSM.
"Të bashkuar kundër dhunës dhe kriminalitetit të pushtetit ilegjitim! Të bashkuar për rikthimin e vlerave evropiane dhe paqes në Maqedoni!, shtoi partia në komunikatën e saj.
Në këtë ish-republikë jugosllave prej 2,1 milionë banorësh me shumicë sllave, një e katërta e të cilëve shqiptarë, një krizë e rëndë politike ka përballur formacionet kryesore sllave.
Opozita akuzon pushtetin për korrupsion dhe për përgjimin e 20 000 personave duke përfshirë këtu politikanë, gazetarë dhe klerikë.
Nga ana e saj, partia në pushtet (VMRO-DPMNE) akuzon opozitën për spiunazh dhe vullnet për të destabilizuar vendin. Ajo u kërkoi mbështetësve të saj të marrin pjesë në një manifestim të hënën në kryeqytetin maqedonas.
Tre bashkëpunëtorët e afërt të kryeministrit të akuzuar për skandalin e përgjimeve, ministrja e Brenshme, ministri i Transporteve si dhe shefi i shërbimeve sekrete dhanë dorëheqjen. Por, ky gjest nuk ka mjaftuar për të kënaqur opozitën që kërkon dorëheqjen e të gjithë qeverisë.
Të mbledhur dje nën presionin e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së në përpjekje të zgjidhjes së krizës, pushteti dhe opozita në Maqedoni, katër partitë kryesore maqedonase dhe shqiptare, konfirmuan mbështetjen e tyre për vlerat demokratike.
"Ne jemi mbledhur për të konfirmuar mbështetjen tonë për vlerat demokratike si dhe të drejtën për të organizuar manifestime paqësore dhe për të dënuar dhunën"', theksuan ata në një komunikatë.
Kandidat që prej dhjetë vjetësh për anëtarësimin në BE, Shkupi që dëshiron gjithashtu të integrohet në NATO, nuk ka arritur të vancojë në këto çështje, për shkak të kundërshtimit të Greqisë që i mohon fqinjit të tij të drejtën për të përdorur emrin Maqedoni, që ajo e konsideron historikisht grek.
Mosmarrëveshjet me Athinës lidhur me emrin kanë lindur që në ditët e para të pavarësisë së kësaj ish-republike jugosllave, në vitin 1991./