MAQEDONI- Toka e shtëpive familjare të legalizuara prej sot mund të blihen për një çmim prej 61 denarë për një metër katrorë, për parcelat deri në 500 metra katrorë. Nëse parcela është më e madhe, pjesa e cila është mbi 500 metra katrorë do të blihet në pajtim me çmimet për shitje përmes rrugës së marrëveshjes së drejtpërdrejtë, gjegjësisht çmimet e njëjta të cilat paguhen për formimin e parcelës.

Vlerën e çmimit për blerje të tokës e kumtoi sot në konferencë për shtyp ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski, duke e prezantuar dispozitën që e ka sjellë Qeveria për këtë qëllim.

Sipas Janakievskit, deri më tani në tërë shtetin janë legalizuar rreth 60 000 objekte. Në Agjencinë për kadastër të patundshmërive janë regjistruar 58.400 objekte, prej të cilave 586 të personave juridikë, ndërsa të tjerët të personave fizikë. Janë regjistruar edhe 692 stacione bazë.

Me këto masa, theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, do t'u jepet ndihmë, një numri të madh të familjeve dhe biznesmenëve të cilët nuk kanë mundur të hasen me pronësi të tokës në të cilën kanë objekt të ndërtuar.

"Analizat e bëra tregojnë se pjesa më e madhe e shtëpive të parashikuara me planin urbanistik janë deri në 500 metra katrorë. Atje ku ka oborre më të mëdha, do të paguhet çmim më i lartë në pajtim me rregulloren varësisht nga vendi i pozicionit dhe komunës", theksoi Janakievski.

Për objektet industriale, shtoi, nuk ka kufizime për kubaturën e parcelës. Çmimet që do të paguhen për tokën, nën objekt janë sipas tabelës së çmimeve të Ministrisë së Financave, dhe dallojnë prej 240 deri në 480 denarë për një metër katror në varësi prej komunës dhe rajonit. Oborret, sërish, privatizohen për çmim prej një euro për një metër katror.

"Presim që me këtë proces dhe me dhënien e çmimit të volitshëm para së gjithash për shtëpitë individuale të mundësojmë mbyllje të plotë të ciklit të pronësisë së tokës ku ka objekte të ndërtuara pa leje", tha Janakievski.

Në pajtim me dispozitat ligjore, tha, vendoset edhe kompensim i njëanshëm për vendosjen e shërbimit të drejtë në vlerë prej 10 për qind nga çmimi i shitjes së tokës për qëllim të caktuar përmes rrugës së marrëveshjes së drejtpërdrejtë. Këtu shpesh bëhet fjalë për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, që ishte një ndër kërkesat e koncesionerëve.

Sipas ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, tani për tani planifikohet zgjatje e afatit për dorëzimin e elaborateve për legalizimin e objekteve, që skadon në qershor të vitit të ardshëm, por tërë procesi po ndiqet.
 
Marrë nga "Radio Vala"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)