SHKUP - Këshilli organizativ për zhvendosjen e përmendores së Car Dushanit i iniciuar nga Shoqata Kulturore e Shqiptarëve të Maqedonisë, në bashkëpunim me disa shoqata të tjera shqiptare, të martën, në Prokurorinë e Maqedonisë kanë dorëzuar padi për hetimin e vendosjes së përmendores në fjalë në urën e civilizimeve - "Syri".
 
Kryetari i Shoqatës, Daim Hiseni ka sqaruar se këshilli organizativ kërkon zbulimin e institucionit që ka vendosur përmendoren, dhe hetimin e ligjshmërisë dhe rregullsisë së procedurës për vendosjen e saj. “I propozojmë Prokurorisë që pasi të grumbullojë të gjitha dëshmitë t'i detyrojë organet kompetente për zbulimin e atyre që e kanë kryer këtë vepër.
 
Nëse ka mbetur pak ndërgjegje e pastër tek institucionet shtetërore, kërkojmë qe te nise procesi gjyqesor dhe drejtësia, të thotë fjalën e vet”, ka deklaruar Hiseni. Ndërkohë, Ministria e Brendshme nuk ka marrë përgjegjësi për zbulimin dhe përndjekjen e personave që kanë vendosur, përmendoren. Autoritetet e komunës qendër thone se vendosja e përmendores është në kundërshtim me planet urbanistike dhe është vendosur pa asnjë vendim zyrtar.
 
Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Çairit, njëherësh dhe nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, Izet Mexhiti, ka kerkuar gjithashtu qe të zbardhet kush e vendosi përmendoren në fjalë. Por, ka reaguar serish kryetari i Partisë Demokratike Serbe në Maqedoni, Ivan Stoillkoviç, i cili tha se përmendorja e Car Dushanit eshte pjesë përbërëse e projektit Shkupi 2014.
 
Vendosja e përmendores së Car Dushanit ka nxitur reagime të shumta në vend, ndërkohë që ajo vazhdon të qëndrojë në vendin e caktuar, e siguruar nga forca policisë së rregullt si dhe pjesëtarëve të njësive për ndërhyrje të shpejtë, të cilët patrullojnë pranë urës së civilizimeve në pjesën qendrore të Shkupit.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)