PRISHTINË, 15 Nëntor/ATSH/.- Maqedonia dhe Kosova do të shpalosin projekte të përbashkëta për të thithur fonde të huaja evropiane, u theksua gjatë konferencës për Ballkanin Perëndimor të zhvilluar ditët e fundit në Vjenë. Në qendër të projekteve, është infrastruktura rrugore si dhe energjia.
Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri dhe homologu i tij nga Kosova, Fadil Ismajli, u zotuan se do të angazhohen maksimalisht për të shitur idetë e projekteve të përbashkëta që përveçse për Maqedoninë dhe Kosovën, kanë rëndësi të veçantë për mbarë zhvillimin rajonal, bën të ditur KosovaPress.
Ministri kosovar Ismajli i cilësoi projektet e përbashkëta si shanse të mira për zhvillimin e dy vendeve, përmes turizmit dhe shkëmbimit tregtar.
Ministrat e Ekonomisë do të prezantojnë projektet para organeve të BE-së në janar të vitit të ardhshëm në konferencën dedikuar zhvillimit e Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Vjenë. Në konferencë do të jenë të pranishëm kryeministrat, ministrat e jashtëm si dhe ata të ekonomisë nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Kroacia, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia e Mali i Zi. Kësaj konference i parapriu ajo në Berlin që u mbajt më 28 gusht./k.s/