Maqedonia e Veriut nis procedurat për ndryshimet kushtetuese që përfshijnë pakicën bullgare! Bojkot nga opozita shqiptare dhe maqedonase

Maqedonia e Veriut nis procedurat për ndryshimet kushtetuese që përfshijnë pakicën bullgare! Bojkot nga opozita shqiptare dhe maqedonase

Maqedoni e Veriut

Maqedonia e Veriut e ka nisur procedurën për ndryshimet kushtetuese, me formimin e komisionit për hartimin e amendamenteve, ka bërë të ditur Ministria e Drejtësisë.

Ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, komisioni përbëhet nga një përfaqësues prej dhjetë partive politike dhe nga një përfaqësues nga presidenti i Republikës, Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Ministria e Punëve të Jashtme.

“Propozuese e ndryshimeve është Qeveria, dhe pas përgatitjes së amendamenteve, propozimi do të kalojë në të gjitha trupat punuese të Kuvendit, ndërsa në të njëjtën kohë do të mbahen debate publike ekspertësh ku ekspertë, parti, organizata të shoqërisë civile dhe institucione të tjera, do të mund të shprehin qëndrimet e tyre”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Komisioni bojkotohet nga opozita maqedonase dhe ajo shqiptare, të cilat kanë qëndrime të ndryshme lidhur me ndryshimet e që synohen të miratohen.

Lëvizja Besa kërkon që ndryshimet të përfshijnë edhe zgjidhjen e statusit të gjuhës shqipe, e cila në kushtetutë është e definuar si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind të popullatës së përgjithshme në Maqedoninë e Veriut.

Të njëjtën e kërkon edhe partia tjetër Alternativa, përfshirë edhe miratimin e një ligji tjetër për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndërkohë, opozita maqedonase, e drejtuar nga VMRO DPMNE, ka thënë se do t’i mbështeste këto ndryshime nëse miratohet propozimi i saj bazuar në modelin kroat, përkatësisht definimin e Maqedonisë së Veriut si “shtet nacional të maqedonasve dhe shtet të pakicave tjera etikë që jetojnë në të”.

“Ne nuk do të marrim pjesë në grupin e punës, sepse puna e këtij grupi punues është e pakuptimtë në këtë fazë dhe jam i bindur se kjo përbërje parlamentare nuk do të mund të bëjë ndryshimet kushtetuese. Ato janë të papranueshme në formën dhe kushtet që synohen të arrihen”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Partitë tjera politike kanë refuzuar propozimin e VMRO-së, si dhe kërkesën për takim të liderëve të partive politike.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, njëherësh kryetar i LSDM-së, ka thënë se Maqedonisë së Veriut i nevojitet “model i bazuar në shoqërinë maqedonase”.

Ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat, apo 80 nga 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Por, shumica parlamentare aktualisht ka 64 vota, që do të thotë se pa votat e opozitës, ndryshimet nuk mund të bëhen. REL

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë