Pogradeci do të mirëpresë më 25 korrik Maratonën Kombëtare dhe Ndërkombëtare, ndërsa Policia ka njoftuar masa të posaçme për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të aktivitetit sportiv.
Maratona, e organizuar nga shoqata “Maraton Albania” në bashkëpunim me Bashkinë Pogradec, nis në orën 18:30 dhe përfshin dy disiplina garuese. Half maratona 21 kilometra do të nisë nga fshati Lin dhe do të përfundojë në qendër të Pogradecit, ndërsa mini maratona 11.5 kilometra do të zhvillohet në itinerarin Pogradec–Buçimas–Tushemisht dhe kthim në qendër të qytetit.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia do të ndërpresë përkohësisht qarkullimin në akset ku do të kalojnë garuesit. Nga ora 18:30 deri në 22:00 do të bllokohet i gjithë aksi Lin–Pogradec, ndërsa në aksin Tushemisht–Pogradec do të bllokohen të dyja korsitë. Kufizime të përkohshme do të ketë edhe në disa segmente rrugore brenda qytetit të Pogradecit deri në përfundimin e aktivitetit.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë u kërkon drejtuesve të mjeteve mirëkuptim dhe i fton që gjatë këtij intervali kohor të përdorin aksin alternativ Qafë Plloçë–Qukës.
Komente










