Anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është aktualisht në fokusin e vendeve anëtare të Aleancës. Kështu u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë një seance dëgjimore në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, teksa iu përgjigj një kërkese të kongresistit republikan Keith Self për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Self, i cili së fundmi vizitoi Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, e cilësoi Ballkanin Perëndimor si një rajon të brishtë dhe kërkoi angazhim më të madh amerikan për integrimin e Kosovës në Aleancë.

“Natyrisht, kemi edhe çështjen e pazgjidhur mes Serbisë dhe Kosovës: Serbia e konsideron Kosovën një krahinë të saj, ndërsa shumica e botës e njeh Kosovën si shtet sovran. Kjo është një zonë jashtëzakonisht e brishtë e Evropës dhe do t’ju kërkoja të mbështesni anëtarësimin e Kosovës në NATO përballë këtyre katër vendeve në takimin në Turqi që sapo përmendët. Unë po kërkoj stabilitet dhe ekuilibër në Ballkanin Perëndimor. Prania jonë ushtarake është shumë e rëndësishme në atë rajon, veçanërisht përmes KFOR-it”, tha Self.

Por Rubio la të kuptohet se çështja e zgjerimit të NATO-s nuk është prioritet në këtë moment.

“Nuk mund të flas për zgjerimin e NATO-s. Sinqerisht, nga takimet e mia të fundit me ministrat e jashtëm, përshtypja ime është se NATO aktualisht është aq e përqendruar në çështje të tjera saqë zgjerimi – veçanërisht në rastin e Kosovës, por edhe në raste të tjera – nuk është në krye të agjendës së vendeve anëtare”, deklaroi Rubio.

Megjithatë, kreu i diplomacisë amerikane nuk e përjashtoi mundësinë që kjo të ndryshojë në të ardhmen.

“Kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhë kurrë; thjesht do të thotë se, për shkak të këtyre pikave të tjera të tensionit, kjo temë nuk ka zënë vend të rëndësishëm në bisedat e fundit me aleatët tanë të NATO-s”, shtoi ai.

Rubio theksoi gjithashtu se prioriteti i SHBA-së mbetet ruajtja e stabilitetit në rajon.

“Gjëja e fundit që ne duam të shohim është çfarëdo lloj konflikti, ndarje apo copëtimi, sepse kjo do të krijonte konflikte të mëtejshme”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Gjatë seancës, kongresisti Self ngriti edhe çështjen e mungesës së një ambasadori amerikan të emëruar në Kosovë, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit.

“Falënderoj për ambasadorët që janë nominuar së fundmi për atë rajon. Vura re se për Kosovën nuk ishte nominuar ambasador dhe do të kërkoja mbështetjen tuaj edhe në këtë drejtim”, tha ai.

Më 1 qershor, Shtëpia e Bardhë njoftoi emërimet për ambasadorë në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa posti i ambasadorit në Kosovë mbetet ende pa një nominim zyrtar.

Në fund të diskutimit, Self argumentoi se mungesa e perspektivës së qartë për integrimin euroatlantik po ndikon në stabilitetin e rajonit.

“Kur shikon Ballkanin Perëndimor, ekziston një lloj boshllëku sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe në NATO. Prandaj ka mungesë stabiliteti”, u shpreh kongresisti amerikan.

Self, së bashku me kongresistët Ritchie Torres dhe Mike Lawler, ka paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke argumentuar se prania e saj në Aleancë është e rëndësishme për interesat e sigurisë së SHBA-së në Europën Juglindore.