Zëvendës presidenti grek i Komisionit Europian, Margaritis Schinas, është shprehur se asnjë kapitull i anëtarësimit në BE nuk do të hapet me Shqipërinë, nëse çështja “Beleri” nuk zgjidhet.

Sipas mediave greke, Shcinas e ka thënë këtë ditën e sotme, gjatë një takimi në selinë e Komisionit Europian.

“Asnjë kapitull i vetëm i anëtarësimit nuk do të hapet me Shqipërinë, nëse çështja Beleri nuk zgjidhet”,- është shprehur ai.

Po ashtu, zyrtari grek ka deklaruar se deri tani janë paraqitur 74 veto nga Greqia për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Deri tani janë paraqitur 74 veto nga Greqia për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Miqtë tanë në Tiranë mendoj se e nënvlerësuan dimensionin europian të këtij rasti”,- është shprehur Schinas.

Ndërkohë, duke komentuar vendimin për shtyrjen e gjykimit të kërkesës së Fredi Belerit për lirimin nga burgu, më 11 dhjetor, ai tha se Shqipëria rrezikon shumë nga ky rast.

“Nuk është zhvillim as i mirë dhe as i keq. Zhvillimi i keq do të ishte një refuzim i kërkesës. Shqipëria është ngatërruar shumë keq me këtë çështje dhe nuk do të shpëtojë nëse nuk e zgjidh”,- ka thënë ai.

Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin.