Marie Marchal, francezja e cila 
pati sukses në zanatin e pastiçieres

Marie Marchal, francezja e cila <br />pati sukses në zanatin e pastiçieres
E përhumbur nga aromat e ëmbëlsirave, por edhe baketat e ekspozuara në vitrinë, një zë nga larg më thërret “Bienvenue à ma maison chaude”! Kjo është motoja që ndjek çdo ditë Marie Thérèse Marchal, zonja franceze e cila po me kaq dashuri na tregoi punën e saj të ngritur në vitin 1999. E teksa na fton të bisedojmë për lidhjen e saj me Shqipërinë, karrierën, por edhe pasionin për të sjell një risi në tregun e pastiçerive në Tiranë, Maria thotë se ‘Pastiçeri Franceze’ tashmë nuk është vetëm një ambient ku të rrethojnë shijet dhe aromat e ëmbëlsirave, por një ‘ambasadë’ ku pret dhe përcjellë miqtë e saj francez dhe shqiptarë.

Zanati, pasioni i francezes
Nuk ishte aspak e vështirë të rikthenim vëmendjen tek një zanat që në Shqipëri mori tjetër kuptim me shijen e ëmbël franceze. Edhe pse njohja e saj e parë ishte në vitin 1990, zonja franceze e cila tashmë njeh shumë mirë çdo traditë dhe ndryshim në kulturën shqiptare na rrëfen sfidën e saj në biznes, pavarësisht se në profesion është Inxhiniere Ndërtimi. Edhe pse të qenit një franceze, ajo gjithmonë ka gjetur mbështetje të fortë tek shqiptarët, pa të cilët, siç thotë dhe vetë nuk do të mund të krijonte një ambient dhe një sukses gjatë këtyre 17 viteve.

Tirana, vendi ku gjeti besimin
Ishte 17 maji i vitit ‘90 kur erdhi për herë të parë në Shqipëri së bashku me bashkëshortin e saj dhe një grup miqsh! Edhe pse ajo kishte shumë pak informacion për vendin tonë, pas 25 vitesh na tregon se është e kënaqur që ka krijuar një lidhje shpirtërore me shqiptarët, madje e gëzuar thotë se kjo rrugicë shpesh herë i ngjason sikur është në Paris. Edhe pse ardhja e saj ishte si konsulente për problemin e ujit të pijshëm, ajo arriti që për pak kohë të bindte një nga kompanitë më të mëdha të ujit për të bërë ndërhyrje në Shën Mëri dhe në Durrës.

Pas një pune 5 vjeçare, Maria vendosi të mos e braktis Shqipërinë, por kontribuoj duke punësuar të rinj shqiptarë të cilët arritën të kualifikoheshin me metodat franceze me kurse disa mujore në Paris. Ajo nuk ngurron të tregoj edhe guximin dhe ambicien e saj, duke hedhur dy herë kandidaturën si deputete e pavarur. Edhe pse e irrituar herë pas here me politikën në Shqipëri, Maria rrëfen se edhe nëse një ditë do të largohet, është e lumtur që 25 vite të jetës së saj ia ka kushtuar Shqipërisë.
 
Pastiçeria Franceze” një vend ku jo vetëm qetësia, por edhe shija marrin kuptim. Si i kujtoni fillimet tuaja?
Si çdo biznes edhe ngritja e kësaj pastiçerie nuk ka qenë aspak e lehtë. Sigurisht që, njohja e shqiptarëve më ëmbëlsirat franceze ishte risi për atë kohë, por shumë shpejt arrita një klientelë për t’u pasur zili.
 
Pse pikërisht në Tiranë, çfarë ju lidhte ju më Shqipërinë për më tepër për të marrë këtë nismë në biznes?
Në vitin 1992 erdha në Tiranë si specialiste për rregullimin e rrjetit të ujit të pijshëm, me një kompani franceze, ndër më të mirat në treg në atë kohë dhe sot. Takimi i parë me Shqipërinë nuk ishte në këtë kohë, pasi në vitin 1990 erdha me një grupe miqsh dhe bashkëshortin. Pas ardhjes time konstatova që në Tiranë kishte nevojë për shumë projekte, ku një ndër këto ishte rregullimi i burimeve të ujit të pijshëm në Tiranë dhe Durrës. Pas këtij konstatimi, e pata të vështirë gjetjen e një kompanie serioze për të mundësuar investimin në Shqipëri, pasi Shqipëria është një vend i vogël.

Pasi mundësova gjetjen e kompanisë ideale për këtë investim, arritëm të rregullonim burimin e Shën Mërisë dhe rrjetin e ujësjellësit në Durrës. Bashkëpunimi me këtë kompani, zgjati 5 vjet edhe pse jo të kënaqur për shkak se tenderi ju besua një kompanie tjetër. Pas mbylljes së këtij projekti, më lindi ideja që unë të mos largohesha përfundimisht nga Shqipëria, por të kisha një shtëpi të ngrohtë ku herë pas here mund të rikthehesha.
 
Treguat se fillimisht keni punuar vetë si pastiçiere. E keni të trashëguar këtë zanat?
Lidhja ime me pastiçerinë vjen si traditë e familjes. Ka qenë pikërisht vëllai im i cili më ka diktuar këtë pasion. Duke qenë se qëndrimi im ishte shumë i gjatë në Shqipëri duke provuar çdo ushqim të kuzhinës shqiptare, vura re se veç bakllavasë dhe ashures, nuk kishte ëmbëlsira të veçanta që mund të shoqëronin cajin ose kafen. Kjo më ngacmoi dhe së bashku me vëllanë tim pastiçier aplikuam receta dhe sollëm risi në tregun e ëmbëlsirave me shije franceze.
 
Si arritët që metodat franceze t’i mësonin pastiçierët shqiptarë?
Sigurisht që ka qenë e vështirë, por me këmbënguljen time vendosa të sjell në Tiranë specialistë të cilët do të bënin të mundur, jo vetëm vlerësimin e punës, por dhe të testonin punën tonë. Mund të them se në ato vite, por edhe sot, pastiçeria prej afro 17 vitesh është bërë ambasada dhe ura lidhëse e çdo francezi në Shqipëri.
 
Afro dy dekada punë në tregun e biznesit shqiptarë. Vazhdoni të keni klientët besnik të këtyre viteve?
Kjo është gjëja më e bukur që më ka ndodhur këtu! Tani më vijnë në pastiçeri jo vetëm klientët e parë, por me fëmijët, nipërit dhe mbesat e tyre. Ky është vlerësimi më i madh që kam marrë nga shqiptarët.
 
Mendoni se të pasurit një zanat është një mundësi e mirë për t’i mundësuar vetes një punë dhe për të gjeneruar të ardhura?
Dihet që të pasurit një profesion është një mundësi e artë në jetë, por edhe zanati të krijon hapësira dhe alternativa pozitive për të siguruar një vend pune. Nëse ke vullnet dhe pasion, çdo ide merr jetë. Kështu ka ndodhur edhe me të rinj që kanë punuar me mua gjatë këtyre 17 viteve. Duhet t’ju rrëfej se kam në staf vajza dhe djem të cilët prej 10 vitesh punojmë së bashku.
 
Jeta juaj ndahet mes Tiranës dhe Francës prej 25 vitesh, sa e vështirë ka qenë kjo për ju?
Nuk ka qenë aspak e lehtë kjo ndarje si për mua dhe fëmijët e mi. Madje shpesh herë pyes veten edhe sot nëse kam bërë mirë apo keq që kam jetuar kaq gjatë në këtu. 25 vite që tashmë janë një skenar i jetës sime, bashkëshortit Pierre dhe pesë fëmijëve. Tani jam e lumtur, jo për suksesin që kam pasur në biznes, por për faktin se familja ime shpesh herë zgjedh Shqipërinë për të bërë pushimet. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Dyshohet se abuzoi seksualisht me një vajzë të mitur, lihet në burg 71-vjeçari nga Maliqi

Dyshohet se abuzoi seksualisht me një vajzë të mitur, lihet në burg 71-vjeçari nga Maliqi