Marina britanike konfiskon një anije iraniane

 Marina britanike konfiskon një anije iraniane

Marina Mbretërore britanike konfiskoi në Gjibraltar një anije iraniane që dyshohet se po transportonte naftë të papërpunuar në Siri, duke shkelur sanksionet e Bashkimit Evropian.

Uashingtoni nuk e ka konfirmuar ende lajmin, por këshilltari për Sigurinë Kombëtare John Bolton tha se SHBA-ja dhe aleatët e saj do të vazhdojnë të ndalojnë Sirinë dhe Iranin të "përfitojnë nga tregëtia e paligjshme".

Autoritetet e Gjibraltarit, me ndihmën e Marinës Mbretërore Britanike, e kapën anijen “Grace 1” të enjten herët në mëngjes në ujërat e detit Mesdhe, katër kilometra larg Gjibraltarit.

Irani thirri në një takim ambasadorin britanik në Teheran për t’i shprehur "kundërshtimin e tij të fortë ndaj konfiskimit të paligjshëm dhe të papranueshëm" të anijes, sikurse u shpreh ai.

Ministria britanike e Mbrojtjes publikoi imazhe të një helikopteri mbi anije, duke thënë se operacioni ishte kryer me kërkesën e autoriteteve të Gjibraltarit.

Por ministri i jashtëm i Spanjës, Josep Borrell, tha se beson se manovra dramatike ishte kryer me kërkesën e Shteteve të Bashkuara. Spanja e ka kritikuar konfiskimin, duke thënë se praktikisht anija ishte në ujra spanjolle.

Irani mbështet luftën e presidentit sirian Bashar al-Asad kundër forcave të shumta rebele që po përpiqen ta largojnë atë nga pushteti.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Sirisë. Vitin e kaluar Presidenti Donald Trump vendosi sanksione ndaj eksporteve iraniane të naftës pas largimit të Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Teheranin e arritur në vitit 2015. VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë