Ju keni qenë bashkëpuntori më i afërt i Azem Hajdarit. Cila ka qënë rruga juaj gjatë kësaj periudhe….?
Për afro 10 vite kam punuar dhe jetuar me Azem Hajdarin. Kam qënë i besuari dhe bashkëpunëtor i ngushtë i tij, në gjithë këto vite të cilat kanë qënë shumë të vështira, me përplasje, me tradhti, me plumba e me skenare të brendshme. Që do të thotë se ne ishim gjithmonë në betejë, duke luftuar për Demokracinë, por kjo e cënonte jetën tonë çdo ditë, sepse për figurat e PD, Liria dhe Demokracia ishin kthyer në një interes ekonomik në të gjitha drejtimet, dhe kështu ne cënoni llogaritë bankare të tyre!
Berisha dhe Hajdarin kanë pasur përplasje të forta. Cilat kanë qënë prapaskenat e përplasjeve mes tyre në vitet 90-të?
Berisha dhe Hajdari kanë pasur përplasje të forta, sepse Azemi e njohu Berishen shumë shpejt, bashke me skenarin e tij ramizjan! Sot koha e tregoi se Azemi kishte pasur të drejtë që luftoi kundër klanit të Ramizit. Unë po kujtoj këtu disa nga këto! Kur Berisha ishte President nga kupola e kësaj ndërtese drejtonte çdo gjë dhe gjithçka edhe në parti. Për çdo gjë ishte i qetë, sepse populli demokrat kishte votuar komunistin më të pabesë të gjithë kohrave dhe armikun e demokracisë! Me përjashtim të njërit që ishte Azem Hajdari dhe perplasjet e tija me Kryeministrin Meksi kishin filluar, sepse Meksi zbatonte ato që Saliu urdhëronte.
Po ashtu edhe kreu i PDSH, pasi Tritan Shehu urdhëronte çdo ditë krerët e degëve të PD në rrethe që Azemi të mos pritej askund sepse e ka futur Sigurimi i Shtetit të shkatërrojë PD-në! Pra kjo ishte treshja mjerane që e kishte shpallur Azemin armik, dhe në një mbledhje kokë më kokë Saliu i tha ‘Leninit të Verdhë’ Pollo se Azemi po na del jashtë kontrollit, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm! Pra e gjithë PD që Azemi themeloi iu vërsul kundër për ta shkatërruar në çdo drejtim, por lind pyetja a mund të rrëzohet kollaj një mal? Azemi si një burrë i rrallë vendosi të përballej dhe me kolegët e Ramizit siç u përball me shefin e tyre dhe ashtu u bë: Betejë në rrugë, me atentate të organizuara nga vetë këta që sapo përmenda, betejë në Parlament, në selinë e PD.
Berisha erdhi si i dërguari i Ramiz Alisë në lëvizjen studentore. Si mundi ai të fitojë aq shumë pushtet në atë kohë sa të flakte dhe Azem Hajdarin, ta linte jashtë strukturave deri në vitin ‘97?
Berisha erdhi në krye të PD, jo vetëm i fortë i stërvitur nga vetë Ramiz Alia deri me fonde financiare marramendëse, por ai kishte vite që punonte për sigurimin e huaj dhe skenarin për groposjen e partisë së parë plurariste në vend që kishte me dy vula, si për Shqipërinë ashtu dhe për Kosovën! Por dhe pse kaq i pushtetshëm, ai përseri friksohej nga Azemi dhe kjo frikë e bënte të organizonte puçe nga më të ndryshmet e të ultat ndaj tij. Dhe duke qënë i pushtuar nga kjo frikë, ai u detyrua ta zgjerojë skenarin me shiroksin tonë të Shkodrës, Pjetër Arbnorin, Mandelën e Parlamentit e jo të Popullit dhe ky i fundit bën propozimin për heqjen e mandatit të deputetit Azem Hajdari, si një figurë që ka devijuar vijën e partise.
Atë ditë SHIK i Gazidedes ishte i tëri në Kuvend, por edhe Garda e Halit Gjeçit! Pra kaq frikë e kishin Azemin këta mjeranë të komunizmit e kjo ndodhte, sepse ata kishin pushtetin por Azemi kishte me vete popullin. Atë ditë kur u bë ky propozim pas ca minutash Azemi mori fjalën, megjithëse s’donin t’ia jepnin! Ndër të tjera iu tha: “Sa merreni me kontrollet ordinere kundër meje se ku i marr makinat, se ku i hedh karburant se ku ha dreka, ju ftoj të keni në mbikqyrje hotelet ku shumica e grave të tua po i frekuentojnë, duke harruar familjet e tyre, se burrat i kanë harruar me kohë. Unë nuk e kam të pamundur t’i filmoj e të mi sjellin në kamera që t’jua publikoj dhe të shikojë ky popull se çfarë bëhet me ata që tregojne moral por nuk kanë aspak të tillë vetë.
Por nuk dua të bëhem si ju sepse as nuk isha e as nuk jam si ju e as nuk do bëhem kurrë, sepse ju jeni zotuar të shkatërroni Azem Hajdarin, por po e arritët ju shkatërroni demokracinë dhe PD-në e jo vetëm mua. Ju doni të më lini pa mandat që të jem pa imunitet dhe dikush mund të shkrepë plumba kundër meje. Ky është kërcënim direkt dhe ky është skenari juaj kryesor, që frika të më mbyllë gojën! Por gaboheni rëndë mor të mjerë, sepse jo vetëm që do flas me zë më të lartë, por ata që keni frike jeni ju dhe jo unë, ata që dun Azemin e vrarë jeni ju që nuk flini, sepse sot Azemi do ishte më i miri për ju, po të rrinte të vidhte si ju dhe ta përdorte votën e popullit për xhepat familjarë.
Unë i kam treguar shqiptarëve që babai im ka qënë komunist, por që idealet e tij unë i rrëzova në ’90-tën, por nuk mund të rri sot këtu pa thënë se më vjen keq për nënkryetarin e PD, Pollo që si djali i një ish-oficeri grek po vazhdon rrugën e babait të tij, duke bashkëpunuar me kryeministrin tonë Meksi djalin e ish gjeneralit grek! Unë nuk mund të hesht për Gazideden që e kam pas kudo, se ti s’je SHIK i Shqipërisë por i Serbisë dhe është turp që presidenti Berisha ka lejuar SHIK që sot të mbushë sallën e Parlamentit! Une s’mund të hesht për të deklaruar se s’mund të vritem! Ju dhe mund t’ia arrini qëllimit, por unë hesht vetëm kur të vdes! Kjo sallë e mbushur me agjentura të huaja më jep kurajo të mëtejshme të luftoj sepse e shikoj live kundërshtarin çdo ditë, por me petkun demokrat.
Rikthimi i Azem Hajdarit në PD u bë me dëshirën e tij, apo pas këmbënguljes së Berishës, që ishte në kuotat më të ulta politike?
Më ‘97 Azemi nuk u rikthye në PD, sepse ai nuk kishte ikur kurrë nga ajo parti, por e kishin perjashtuar kupola vrastare e partisë, dhe Berisha në vitin e egër ‘97 futi sekretaren e tij të na telefononte për ta përkrahur. Azemi nuk u kthye te Berisha por te e djathta e tradhëtuar nga Berisha, Azemi nuk u kthye për të penguar rrëzimin e Berishës, sepse Berishën e rrezoi Zoti e jo e Majta, por u kthye se 200 telefonata në ditë i vinin nga e gjithë Shqipëria ku i thonin se Saliu na mori më qafë! Për Azemin ishte e rëndësishme sakrifica për vendin e për të djathtën, sepse përsa i përket ’97 në krye të bandave ishin përsëri kolegët e Saliut, Gjinushi, Ceka, Nano, etj. Pra Saliu nuk po rrëzohej por po groposej e Djathta me qëllim prej tij!
Azemi Hajdari ka pësuar shumë atentate. Sipas jush kishin një prapavijë politike këto atentate dhe kush i organizonte ato, pasi ishin atentatet e para politike?
Në lidhje me atentatet që janë bërë kundër Azemit, por edhe sot kundër meje duhet të keni parasysh se sado që politika është munduar t’i përdorë, t’i ripërdorë herë për t’i errësuar e herë për t’i përdorur, nuk ia ka arritur dot sepse tani dihet nga mbarë populli se Azemin e vrau kompromisi PD dhe PS. Pra dy emisarët e Ramizit ishin aktorët dhe organizatorët e vrasjes së shekullit, Fatos Nano Kryeminister dhe rivali i Azemit, Sali Berisha shefi opozitës.
Pra skenari Katovica realizo 100% dokumentin Alia më ‘98 me pushkatimin e liderit të Dhjetorit Azem Hajdari, dhe në këtë rrjedhë jo vetëm i janë drejtuar pyetje me fakte deri në akuza Berishës por edhe Nanos, të cilët sot janë përsëri bashkëpunëtorë e miq të deklaruar! Por vetë drejtësia ka qënë dhe është vegël e politikës. Dua t’ju kujtoj këtu se Pandeli Majko si Kryeminstër ka akuzuar Berishën për vrasjen e Azemit por dhe ka kritikuar drejtësinë!
Vetë ish kryeministri Ilir Meta bërtiti me zë të larte: Të arrestohen vrasësit e vrasësve të Azem Hajdarit! Pra dinte shumë ky kryeministër! Gramoz Ruçi ka akuzuar disa herë Berishën për vrasjen e Azemit në Parlament! Erion Braçe e shumë deputetë të tjerë e kanë bërë këtë, por këto ishin dhe janë vetëm shashka të të dy partive bashkëpunëtore me njëra tjetrën dhe shou mediatik për popullin, sepse një gjë dihej: Vetëm vrasja e Azemit e ringjallte komunizmin në Shqipëri!
Kanë lidhje këto atentate me akuzat që janë bërë vazhdimisht, madje me ato 25 pyetjet e famshme në një gazetë afër Berishës?
Sot kur flasim për Berishën dhe PD, ka një ndryshim thelbësor, sepse une e mijra të tjere jemi të djathtët e Partisë Demokratike që themeloi Azem Hajdari. Ndërsa Berisha i përket PD të krijuar nga Lulzim Basha, një person me probleme të mëdha me Drejtësinë, person që ka pasur lidhje pune me vajzën e Berishës e Berishën por kurrë me PD e të djathtën, një djalë komunisti që bën të njëjtën detyrë si baballarët e tij bashke me Sali ‘Penicilinën’! Sot jemi më të bashkuar se kurrë jo te veteranët e shkollës së Bashkuar të Nishanit e as te veteranët e Saliut, por tek Partia e viteve ‘90 ku është dhe memoriali i Azemit që tmerronte çdo ditë Berishën poshtë zyrave të tij!
Sot kemi në krye të vulës një KOP i ardhur pas detyrës si hetues e spiun i UÇK, sot kemi një parti familjare ku atë post e donte me çdo kusht Luli për t’i ikur akuzave të bëra ndaj tij, ku sot mban bashkinë me votat e keqpërdorura të demokratëve. Ai i mori këto poste sepse firmosi që do zbatonte të gjitha çfarë mafia politike i kërkon, dhe kjo doli hapur në dritë të diellit me vrasjen e Sokol Olldashit ku e qindra pista vrasjesh dolën, me qindra skenarë e gënjeshtra si e si për ta mbuluar këtë vrasje të radhës në PD, por këtë radhë me aktorë të rinj! Olldashi i kishte deklaruar projektet e tija dhe rrugën që do të ndiqte për një PD tjetër, por edhe kishte shfaqur hapur kundërshtimin e tij ndaj Lulzim Bashës dhe kjo e vrau.
Pra edhe një figurë tjetër në PD u vra! Sepse për 20 vite ky ka qënë zbatimi i Katovicës, kush kundërshton vritet. Po kjo vrasje ka edhe bashkëpunimin e vet siç e kanë pasur vrasjet e tjera, sepse në vendngjarje shkuan forcat e policisë, që fshehën çdo provë dhe shkatërruan skenën e krimit dhe kur Olladashi u zhvarros doli se aksidentit i kishte shpëtuar por pas këtij aksidendenti dikush kishte ardhur dhe e kishte qëlluar në kokë me sende të forta! Dhe Trebicka i dytë u realizua për mafien politike!
Mendoni se nuk do zbardhet asnjë prej këtyre ngjarjeve...?
S’kemi as të akuzuar as të arrestuar, por vetem shou mediatik të PS e PD. Ashtu siç po e vazhdojnë për vrasjet e 21 Janarit, të premtuar nga Rama, ku vetëm vazhdojnë të akuzojnë e asgjë tjetër s’bëhet. Është e turpshme për këtë qeveri që vijon të luajë sikur është akoma në opozitë e nuk zbardh as 21 Janarin, kur BE e SHBA ia kanë vënë kusht themelor, nuk zbardh ngjarjet në Gerdec me Mediun, Shkelzenin, Delijorgjin! Ku s’zbardh vrasjen e deputetit të saj Fatmir Xhindi, ku vetë ky ministër Rendi ka akuzuar Agron Kuliqajn për këtë e për Trebickën! S’mund të ecet me parime, por me vepra që deri tani s’ka asnjë, kemi thjesht vetëm zëvendësime militantësh.
Që Rama nuk ka këllqe të arrestojë Saliun kjo nuk do shumë mend, qe Ramën e ka pushtuar Meta kjo nuk do shumë mend, por pse gabon Rama nuk kanë pse shqiptarët të vuajnë përsëri gënjeshtrat e tritoleve dhe arrestime sekserësh, kur bankat janë plot me lekët e politikanëve të vjedhura ndaj popullit. Po që se do ketë Ukrainë kjo nuk është e Saliut se Saliu ka qënë oficer i UDB-së e jo boksier!!
Plaku i Haklajve ka thënë se ka një kasetë të Hajdarit, ku thoshte që të gjitha vrasjet vijnë nga zyra matanë(e Berishës) e se nuk kishte lidhje me vrasjen e djemve te tij. Komenti juaj?
Plaku i Haklajve një burrë i nderuar me pamje fisnike na ka takuar dhe kur është ndarë nga ne, Azemi i ka dhënë një kasetë por tani ajo kasetë është shumëfishuar e do i vijë dita të dalë! Pasi politika nuk e la drejtësinë ta sillte Saliun në gjyq, që plaku i Haklajve t’ia përplaste në fytyre ato çfarë i kishte thënë Azemi atij, për 25 vite shqiptarët shohin vetëm vrasje e asgjë tjetër. No koment!
Sa besim keni te drejtësia për zbardhjen e vrasjes së Hajdarit?
Shoqata Azem Hajdari që përfaqësoj, si President i Përgjithshem i saj, i ka dërguar kërkesë ish-kryeprokurores Ina Rama, “Silvia Konti”, kërkesë për rihapjen e çështjes Hajdari, por s’ka asnjë muaj që ia ka dërguar dhe Kryeprokurorit Adriatik Llalla për ta rihapur këtë çështje jo si obligim por si detyrim e nder në detyrën që ai pëfaqëson dhe të thërrasë si të pandehur Sali Berishën, pasi është dëshmitari kryesor publikisht për vrasjen e Azem Hajdarit, ku jo vetem i ka deklaruar me emra ato, por ai ka kasetën e incizuar nga Zenel Neza ku mori 6 plumba në atentat ku vetë Berisha i ka dërguar një faks zyrës së OSBE para vrasjes!! Pas këtyrë vijnë dhe të vërtetat e Izet Haxhisë, truprojes së Berishës vjen dhe kaseta e Haklajve vjen dhe Fatmir Meta, por dhe Fatos Klosi ku vete Berisha e quan organizator në vrasje, ndërsa vetë Klosi e ka deklaruar implikimin e Berishës në vrasje.
Jo se ne nuk e kuptojmë heshtjen e zotit Prokuror ndaj nesh siç kuptuam “Silvian” e politikës, por këta mos të harrojnë kurrë se janë direkt përgjegjës për implikimin e institucionit me politikën duke penguar të vërtetën. Jo gjithmonë kjo mafie politike do mundet të vrasë e të grabisë popullin. Ne jemi gjalle dhe të betuar në rrugën tonë, askush në botë nuk do na ndale që busti i Azem Hajdarit të vendoset aty ku ishte busti i diktatorit Hoxha, askush nuk mund të na ndalë të jemi në selinë e Partisë tonë të vërtetë, nuk do mundet kurrë Saliu me suiten e tij të mbulojë të tijat me një bust të turpshëm që i bëri Azemit që në pamje duket si Balboa e jo si Azem Hajdari, Saliu e di mirë se Shoqata ‘Azem Hajdari’, e deklaruar armike nga vetë ai, do shpallet Parti politike ku do jetë vlera e lufta e Azemit për Demokraci e për të drejtën dhe jetën e popullit. Plumbat që i dhatë Azemit nuk na trembën, por na dhanë forcë në rrugën tonë.
Kjo do të thotë që nuk keni besim...?
Përsëris, plumbat që më dhatë mua me skenar të Dezinjatores Topalli nuk më zbehën, por më forcuan më shumë në rrugën tonë të pandalshme. Deklarojmë se, po qe se po vjen një Ukrainë s’vjen e nuk e bën dot Saliu me familjen, por po vjen nga vrasjet dhe padrejtësitë që i keni bërë popullit! I themi kryeministrit që me turp po i kërkon ndihmë gjithë botës për Lazaratin se llogaritë i ke bërë gabim me këtë fshat që e publikon si Çeçeninë! Eja se të çojmë ne t’i takosh dhe të bisedosh me ta siç çuam Moisiun, Blushin, dhe Makbulen, po qe se të ka lidhur frika si për 21 Janarin e Metës, atëherë po të themi se me forcë je i humbur! Lazarati është pjesë e Shqipërisë e jo letra bixhozi të politikës. Sa për akuzat që bën “si Shkodra” të them merru me komunat e tua në veri në Dukagjin etj e mos i mbyll sytë, por shikoji se ka mundësi ta harrosh Lazaratin, shiko se si sekserët ndërruan vetëm parti dhe sot janë trafikantë të krahut tjetër!
Ç’kërkoni nga kryeministri Edi Rama, që ka qënë dhe dhjetorist?
I rithemi sot kryeministrit Rama largo ata që dëmtojnë Drejtësinë e mos bjer pre e presionit të tyre, dil e deklaro me kërkesë për rihapjen e çështjes Hajdari si një nismëtar i lëvizjes studentore të ’90-tës e si pedagog i asaj kohe për të zbardhur shumë dyshime e enigma ndaj kolegëve të tu brenda partisë e për të mos kopjuar dhe qeverisur si Sali Berisha, por të realizosh premtimet e bëra në fushatë dhe për t’ju drejtuar organit të akuzës për ato çfarë akuzoje Saliun, kur ishe në opozitë.
Në të kundërt nuk ka vetëm Ukraine por ka dhe Egjipt. Unë si Marjan Gryka jam në përgatitje e sipër të një artikulli të gjate për lidhjet e mija me Edi Ramën kur ishte vetëm kryetar bashkie dhe unë mora përsipër ta dërgoj në takime në të gjitha rrethet e Shqipërisë, sepse vetë Rama nuk kishte dalë në jetën e tij në asnjë takim jashtë Tirane, por dhe se kërcënimet e Nanos e të Saliut e ndiqnin kudo dhe i bllokonin rrugët. Por ne arritëm ta dërgojmë në të gjithë Shqipërinë në takime të sukseshme, dhe kur mbërrija në darkë në shtëpi i gjeja në radhë sekserët e Nanos e të Saliut, me shuma të mëdha parash për ta shitur Ramën e për ta lënë në rrugë sepse rrëzimin e Nanos po e realizonim. Shumë nga këta individë deputetë sot jane në krah të Rames dhe bëjnë të përvëluarin ndaj tij, do paraqes kaseta dhe foto që nuk janë publikuar asnjëherë më parë.
Shkrimi u publikua sot (06.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)