Në një kohë që PD ka pësuar një humbje të thellë, duket se nuk ka një reflektim nga demokratët.

Kryesuesi i listës së Lezhës, Mark Marku, thotë në një shkrim në rrjetet sociale se garanton se PD nuk do ti njohë kurrë këto zgjedhje, dhe do punojë që shumë shpejt pushteti nga duart e bandës grabitëse të Rilindjes të kalojë tek populli. 

Ndryshe nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili tha për mediat nga selia blu se beteja për demokracinë sapo ka filluar, Mark Marku shprehet i bindur se gjithë bota demokratike nuk do ta njohin Lukashenkon e Ballkanit, Edi Rama dhe zgjedhjet e tij.

'Të dashur qytetarë të Lezhës, Kurbinit, Mirditës.Të dashur vëllezër dhe motra.  Falë mbështetjes tuaj, ne arritëm një fitore të madhe në gjithë qarkun (5900 vota plus) më të madhe, në gjithë historinë e pluralizmit.  Me gjithë milionat e parave të hedhura nga pushteti i korruptuar i Ramës, me gjithë llumin e krimit që përmbyti si asnjëherë tjetër Lezhën, Kurbinin dhe Mirditën, ju treguat në mënyrë shembullore se asgjë nuk e mposht karakterin, dinjitetin dhe shpirtin e lirë të qytetarëve të zonës sonë, asgjë dhe askush nuk e përdhos krenarinë tonë.

Si drejtues politik i qarkut bashkë me kolegët ju falenderoj përzemërsisht dhe ju garantoj se do të jemi në lartësinë e gjestit tuaj fisnik. Shumë prej jush me lot në sy, sot më kanë shprehur deshpërimin për faktin se ajo që nuk ndodhi në Lezhë apo diku tjetër ndodhi në Shqipëri. Paratë që u janë vjedhur juve nga qeveria më e korruptuar në botë, pra nga Rama, dhe llumi i krimit na i vodhën zgjedhjet në shkallë vendi. Ju garantoj se Partia Demokratike nuk do ti njohë kurrë këto zgjedhje, dhe do punojë që shumë shpejt pushteti nga duart e bandës grabitëse të Rilindjes të kalojë tek populli.  Jam i bindur se SHBA, BE dhe gjithë bota demokratike nuk do ta njohin Lukashenkon e Ballkanit, Edi Rama dhe zgjedhjet e tij. Shumë shpejt e gjithë Shqipëria do bëhet si Qarku jonë, zonë e lirë dhe demokratike.'- shkruan Marku.

Sakaq nga ana tjetër Agron Gjekmarkaj, një tjetër kandidat për deputet në Qarkun e Lezhës, falenderon banorët e këtuj qarku për rezultatin e fitores.

'Të nderuar banorë të Qarkut Lezhë, rezultati i fitores sonë është falë fuqisë dhe mështetjes tuaj.U përballëm në këtë garë në kushte jo të barabarta me palen kundështare politike por në fund fituam me diferencë të thellë. Përzemërsisht falenderoi çdo votues, të gjithë demokratët që sakrifikuan në 4 anët e qarkut për fitoren, falenderoi strukturën e PD në Lezhë, Mirditë dhe Kurbin. Mirënjohje ndaj çdo miku dhe bashkëpunëtori që u gjend pranë fushatës sonë. Përpara kemi rrugë që do të bëjmë sëbashku, të bashkuar!'- shkruan Gjekmarkaj.