TIRANË-  8 vite në opozitë për Lulzim Bashën nuk kanë qenë të mjaftueshme për të sjellë ndryshimin që ka trumbetuar me të madhe, duke thënë se “beteja e tij sapo ka filluar”.  Në një kohë kur kryeministri Edi Rama i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit, Basha e ka bërë fajtor për humbjen që PD-ja pësoi në këto zgjedhje, duke thënë se i janë vjedhur votat. Për kryedemokratin, këto zgjedhje nuk kishin asnjë lidhje me demokracinë e për të justifikuar humbjen e tij, ka renditur disa arsye.

"Nuk mjaftoi sepse këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale. Ata ndryshuan kushtetutën dhe kodin zgjdhor duke thyer të gjithë rregullat. Dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë dhe dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve. Miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve. Ata përdorën milionat e koncesioneve të korruptuara,  vodhën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, përdorën kriminelët dhe bandat, kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe median  duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale.  Edi Rama ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë hapur me përfaqësues të krimit si Tom Doshi që kanë gjithë botën demokratike kundër. Ai kandidoi përsëri përfaqësuesit e krimit në listat e tij. (...) Beteja sapo ka filluar dhe ne do ta cojme atë deri në fund, deri në fitore", tha Basha. 

Në vijim të deklaratës së tij, se vota e shumë demokratëve nuk është lexuar, sot demokratët kanë bërë një kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me katër kërkesa. Më dokumentin që mban firmën e Sekretarit Ligjor të PD-së, Ivi Kaso PD-ja kërkon pamjet filmike në çdo KZAZ, pamjet e regjistrimit të fletëve të votimit, të dhënat e grumbulluara nga identifikimi biometrik dhe të dhënat e kryqëzuara nga identifikimi biometrik dhe listave të zgjedhjeve të nënshkruara mekanikisht. Kjo sepse sipas demokratëve, komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit kanë konstatuar parregullsi në procesin zgjedhor.

Në fund, në fjalimin e tij, pas humbjes së tretë radhazi në zgjedhje, Basha vijoi të artikulonte të njëjtin premtim si gjatë fushatës elektorale, se do të sjellë “diellin e shpresës për Shqipërinë”.

“Nata që ka rënë sonte do të largohet dhe dielli do të ngrihet përsëri nesër mbi horizont. Dielli i shpresës për Shqipërinë. Fryma e ndryshimit është më e fortë se kurrë. Ne jemi më të fortë dhe më të vendosur se kurrë. Dhe të fortë, ne do luftojmë çdo ditë, ne do të luftojmë çdo orë, për të mbrojtur demokracinë dhe për të sjellë të gjithë bashkë një të ardhme më të mirë për vendin tone, për familjet tona për fëmijët tanë. Beteja sapo ka filluar dhe ne do ta çojmë atë deri në fund, deri në fitore”, tha Basha.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:18
Pas humbjes, PD letër KQZ me katër kërkesa: Duam pamjet filmike në çdo KZAZ

Pas humbjes, demokratët kanë bërë një kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në dokumentin që mban firmën e Sekretarit Ligjor të PD-së, Ivi Kaso PD-ja kërkon pamjet filmike në çdo KZAZ, pamjet e regjistrimit të fletëve të votimit, të dhënat e grumbulluara nga identifikimi biometrik dhe të dhënat e kryqëzuara nga identifikimi biometrik dhe listave të zgjedhjeve të nënshkruara mekanikisht.

Kjo sepse sipas demokratëve, komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit kanë konstatuar parregullsi në procesin zgjedhor.

Letra e PD-së, drejtuar KQZ-së
Ora 19:53
Basha pas humbjes: Beteja jonë sapo ka filluar, ne nuk do të dorëzohemi! Rama bashkëpunoi me njerëz të krimit si Tom Doshi

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar nga selia blu, ku ka folur për herë të parë pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit, se ato nuk do të dorëzohen. Basha tha nga selia blu se beteja sapo ka filluar. Po ashtu kreu i PD-së, tha se Rama përdori kriminelët duke bërë masakrën më të madhe elektorale, ndërkohë që shtoi se ka bashkëpunuar me njerëz të krimit si Tom Doshi.

'Edi Rama ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë hapur me përfaqësues të krimit si Tom Doshi që kanë gjithë botën demokratike kundër. Ai kandidoi përsëri përfaqësuesit e krimit në listat e tij. Dhe pavarësisht gjithë kësaj – ne sollëm një arritje të madhe për demokracinë në Shqipëri. Ne u bëmë më të fortë. Ne jemi më të vendosur se kurrë.  Kushdo që mendon se ne do të dorëzohemi – nuk na njeh mirë! Ne do të vazhdojmë betejën me gjithë fuqinë tonë. Ne do vazhdojmë të luftojmë me gjithçka kemi për demokracinë. Do vazhdojmë të luftojmë deri në fitore, sepse misioni ynë është më i madh se të gjithë ne. Po u dorëzuam ne, Shqipëria ska më asnjë mundësi. Dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë. Dua tju falenderoj të gjithë ju, vëllezër dhe motra, shqiptare dhe shqiptarë  kudo ku jeni, Dua të falenderoj anëtarët dhe mbështetësit tanë, ekipin tonë të mrekullueshëm dhe aleatët tanë të koalicionit, komisionerët, numëruesit, vëzhguesit dhe vullnetarët e panumërt për angazhimin e tyre të pashembullt.  Mbi 600,000 shqiptarë votuan për ne, dhe sollën shpresë për Shqipërinë. Të rinj dhe të reja, të moshuar, gra dhe burra, nga i gjithë vendi. Ju falenderoj nga thellësia e zemrës për mbështetjen tuaj të mrekullueshme.Faleminderit për besimin tuaj! Dhe ju premtoj sot: nuk do t’u zhgënjejmë kurrë! Ne do luftojmë për ju! Do luftojmë për qindra mijëra qytetarë që votuan për ne dhe për ata të cilëve nuk ju numërua vota. Zëri juaj do të dëgjohet qartë dhe fort. Kjo është përgjegjësia ime, është detyrimi që kam para jush dhe para Shqipërisë. Nata që ka rënë sonte do të largohet dhe dielli do të ngrihet përsëri nesër mbi horizont. Dielli i shpresës për Shqipërinë. Fryma e ndryshimit është më e fortë se kurrë. Ne jemi më të fortë dhe më të vendosur se kurrë.  Dhe të fortë, ne do luftojmë çdo ditë, Ne do të luftojmë çdo orë,   Për të mbrojtur demokracinë dhe për të sjellë të gjithë bashkë një të ardhme më të mirë për vendin tone, për familjet tona për fëmijët tanë. Beteja sapo ka filluar dhe ne do ta cojme atë deri në fund, deri në fitore! Demokracia do të fitojë dhe Shqipëria do të fitojë. Zoti e bekoftë Shqipërinë!'- tha Basha.