Deshëm ne që të bëhej rotacioni në krye të bashkisë së Tiranës dhe u bë. Ndaj kërkojmë nga Njazi Kosovrasti që të zbatojë ligjin dhe të mbledhë këshillin bashkiak për ta votuar kërkesën tonë”, ka deklaruar Marko Dajti për “Shqiptarja.com”.
Sipas tij është shumë e rëndësishme që të votohet, dhe nëse është vendim negativ, atëherë do gjejnë mundësinë për ta vendosur diku shtatoren e Enver Hoxhës, me vendim ose jo pasi këtë e kërkojnë shqiptarët, sepse është një figurë që ka bërë shumë për Shqipërinë.
“Ne do ta gjejmë një shesh për bustin e Enver Hoxhës, pavarësisht vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Donim të rivendosej aty ku ka qënë në Sheshin “Skënderbej”, por ai do vendoset patjetër diku. Ai i takon gjithë shqiptarëve pasi e bëri të njohur emrin e Shqipërisë në botë duke e ngritur në nivelet më të larta.
Në vitin 1960 Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës, ku i vetëm arriti që të heqë bazat sovjetike dhe të Trakatatit të Varshavës nga brigjet e Adriatikut, një kërcënim real për tërë vendet e NATO-s, njëlloj siç bëri Skënderbeu pesë shekuj më parë që mbrojti krishtërimin nga invazioni turk”, thotë Dajti.
I cili përpos këtyre kontributeve të Enver Hoxhës renditi udhëheqjen që i bëri Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ngritjen nga zero të arsimit, shëndetësisë në Shqipëri dhe ndryshime të tjera të rëndësishme sipas tij, duke filluar nga elektrifikimi i vendit e deri tek ngritja e klasës së intelektualëve në vend.
“Prandaj duhet vënë busti i Enver Hoxhës në sheshin Skënderbej, madje më i madh se ka qënë dikur. Të më falin ish-të dënuarit në atë kohë, po politika e këtyre viteve nuk ka dashur të hapë dosjet. Madje ne kemi kërkuar që të shihen gjykimet e ish-të përndjekurve politikë, për të parë se cilët janë dënuar padrejtësisht, që do të shërbejë më pas për të hapur dosjet për ata që i kanë dënuar në atë kohë, kanë dalë dëshmitarë përmes akuzash të rreme.
Që më 1981 Enver Hoxha e ka dënuar ashpër politikën e disa servilëve e shërbëtorëve të të huajve që dënonin me të padrejtë thjeshtë për të bërë të pakënaqur dhe për të sabotuar vendin”, tha Dajti. Që s’ka munguar të kërkojë sërish vendosjen e bustit të Enver Hoxhës në sheshin qendror të kryeqytetit, madje më të madh se ka qenë dhe këtë e sheh si një detyrim nga ana e mazhorancës, që sipas tij i kanë dhënë pas 11 vitesh postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, dhe jo pak por duke rrëzuar kreun e PS Edi Rama në favor të Lulzim Bashës.
Njëherësh ai mohon të ketë thënë se po përgatit dosje për kreun e këshillit bashkiak Njazi Kosovrasti. “Nuk kam deklaruar se ka dosje Kosovrasti. Jam sekretar i parë i PPR. Komunistët kurrë dosjet e bashkëpunëtorëve të ngushtë dhe të ndershëm nuk i kanë treguar dhe publikuar. Kanë dhënë dhe jetën madje dhe nuk kanë treguar dhe për këtë kanë dhënë prova”, tha Dajti. Duke mohuar të ketë qenë thënia e tij ajo që u publikua.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.02.2013
Redaksi Online
(b.m.shqiptarja.com)