ROMË - Piloti i MotoGP, Marc Marquez po shijon pushimet e Krishtlindjeve, duke pritur për të nisur sezonin e ri me skuadrën Gresini Ducati. Qëllimi i tetë herë kampionit botëror të motoçiklizmit është që së pari të kthehet në fitimin e një Grand Prix dhe më pas të jetë në garë për titullin.
Për momentin "kurora" mbahet nga Francesco Bagnaia, por spanjolli synon t'i rikthehet dominimit siç ka bërë në të kaluarën para problemeve fizike.
Gjatë një interviste të fundit të dhënë nga "racing365.com", Marc Marquez donte të bënte një krahasim mes tij dhe tre herë kampionit të botës në Formula 1, Max Verstappen.
"Më pëlqen shumë që kërkon të jetë i suksesshëm në çdo gjë që bën. Ti duhet të jesh 'vrasës' dhe ai është. Mendimi i tij i vetëm është fitorja sido që të arrish atje. Në këtë aspekt më ngjason shumë sepse në pistë provuam që kemi të njëjtin qëndrim", tha Marc Marquez.