Marrëveshja e Brukselit, juristët
kundërshojnë pikat 10 dhe 11 

Marrëveshja e Brukselit, juristët<br />kundërshojnë pikat 10 dhe 11 
PRISHTINE- Marrëveshja e arritur në Bruksel ka problematika. Pikat 10 dhe 11 të marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të kundërshtohen nga njohës të kushtetues, për faktin se këto do të shkaktojnë ndarjen e sistemit unik gjyqësor të Kosovës. Sipas pikës 10 të marrëveshjes sistemi i drejtësisë do të integrohet në kornizën ligjore të Kosovës dhe do të operojë brenda kësaj kornize.

Gjykata e Apelit në Prishtinë do të formojë një panel të përbërë nga shumica e gjyqtarëve serbë të Kosovës për t’u marrë me të gjitha komunat që kanë shumicë serbe. Ndërsa, pika 11 thotë se një njësi e Gjykatës së Apelit, i përbërë nga stafi administrativ dhe gjyqtarët do të jenë të vendosur në Mitrovicën veriore, (Gjykata e Qarkut e Mitrovicë). Secili panel i divizionit të shënuar më lart, do të jetë i përbërë me një shumicë të gjyqtarëve të Kosovës. Gjykatësit përkatës, do vendosin në varësi të natyrës së rastit në të cilin janë përfshirë.

Pikërisht këto dy pika, sipas njohësve të Kushtetutës, do të shkaktojnë ndarje të zinxhirit të sistemit unik të gjyqësorit, pasi do të krijohet gjykata e apelit në pjesën veriore me funksion të njëjtë me gjykatën e apelit në Prishtinë.

Njohësi i Kushtetutës, Riza Smaka shprehet se gjykata e apelit në pjesën veriore do të jetë gjykatë paralele, ashtu siç është gjykata e apelit në Prishtinë.

“Ndërsa, marrëveshja në zbatim, impelemtim dhe materalizim pritet të shkaktojë shkëputje të zinxhirit të funksionimit të përbashkët. Sepse do të themelohet gjykata e apelit në Mitrovicë që do të vlejë për serbët e Kosovës, që do të thotë ajo do të jetë gjykata e apelit e instancës së dytë përfundimtare, sipas mjeteve juridike të rregullta çfarë do të mbetet edhe gjykata e apelit në Prishtinë. Prandaj do të themelohen, do të institucionalizohen dy gjykata të të njëjtit rang, të të njëjtit nivel të kompetencave dhe juridiksionit të njëjtë, vetëm se ajo do të jetë për serbët kosovarë, ndërsa kjo do të jetë për qytetarët e tjerë”, ka thënë Smaka.

Ndërsa, në anën tjetër edhe njohësi tjetër i Kushtetutës, Korab Sejdiu, thotë se këto pika janë problematike në disa nivele. Sipas tij, problemi kyç është në faktin se është në kundërshtim me parimin e shtetit multietnik, për të cilin është angazhuar edhe presidenti Ahtisaari me planin gjithëpërfshirës, e po ashtu edhe në Kushtetutë është mishëruar shteti multietnik, ndërsa tani po formohet gjykata e apelit, pavarësisht se po thuhet se do të shkojë një pjesë e gjykatës së apelit por e cila do të jetë monoetnike, ekskluzivisht serbe.

“Çështja e dytë shkon në unifikimin ose sistemin unik të gjykatave të rregullta që janë në Kosovë dhe besoj se formimi i një gjykate të apelit vetëm për komunitetin serb po e ndan dhe nuk po e bënë këtë unik. Do të ketë në praktikë probleme jashtëzakonisht të mëdha sa i përket zbatimit të ligjeve të Kosovës dhe mënyrës së si zbatohen ato nga gjyqtarët serb të cilët janë dëshmuar se refuzojnë të jenë pjesë e sistemi tonë të drejtësisë, e njëkohësisht edhe ligjet që ata i aplikojnë”, ka thënë Sejdiu.

Kjo çështje edhe mund të dërgohet për interpretim edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila deri me tani ka interpretuar dhe vendosur për një mori çështjesh që i janë kërkuar për interpretim. Në këtë rast, neni 113 i Kushtetutës thotë se “Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar, që janë Kuvendi i Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Qeveria dhe Avokati i Popullit për të ngritur raste për shumë çështje, ndër të cilën edhe kur përputhshmëria e një amendamenti të propozuar kushtetues me marrëveshjet e detyrueshme ndërkombëtare, të ratifikuara sipas kësaj Kushtetute dhe rishikimi i kushtetutshmërisë së procedurës së ndjekur”.

Por, Sejdiu përkitazi me dërgimin e këtyre dy pikave për interpretim në Gjykatën Kushtetuese thotë se “ky rast është pak i ndjeshëm pasi personat vendimmarrës që kanë vendosur dhe kanë pranuar themelimin e paneleve ose gjykatës së apelit në veri, po e bëjnë në një mënyrë që nuk po lejojnë që ‘de jure’ të sfidohet kjo, edhe pse ‘de fakto’ mbetet një problematikë”.

“Juridikisht po mundohen ta formulojnë në mënyrë të tillë që të mos përbëjë sfidë kushtetuese, por faktikisht ajo shihet qartë që ia kanë dhënë një emër tjetër, por që shihet qartë se është gjykatë e apelit. Prandaj të sfidohet në Gjykatë kushtetuese, kjo ka disa nivele para saj ku mund të rregullohet, e ai është Kuvendi i Kosovës, mirëpo, nëse njëri nga institucionet tjera qoftë presidentja, qoftë parlamenti mendon se kjo nga ekzekutivi po bie ndesh me Kushtetutën atëherë ata detyrimisht janë të obliguar ta bëjnë këtë”, është shprehur Sejdiu.

Çështja e Gjykatës se apelit nuk është që tash është paraqitur, pasi kjo është paraqitur edhe herave tjera gjatë hartimit të ligjit për Gjykatat. Sejdiu thotë se kanë insistuar jashtëzakonisht shumë që ta anulojnë një tentativë të tillë duke pasur parasysh problemet që do t’i paraqitet kjo çështje.

Edhe Smaka shprehet se në kushtetutë janë të autorizuara subjektet për ta ngritur çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Mirëpo, sipas tij, kjo është marrëveshje ndërshtetërore e cila duhet të miratohet dhe ratifikohet medoemos sipas kushtetutës në Kuvend dhe duhet të dërgohet për diskutim dhe miratim, dhe nëse miratohet do të kishte fuqinë e ligjit po që se do të ishte në harmoni me Kushtetutës.

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është arritur më 19 prill në Bruksel mes dy kryeministrave, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.

Marrë nga "Radio Evropa e Lirë"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Vijon zjarri në Shëngjin, Report Tv sjell pamjet

Vijon zjarri në Shëngjin, Report Tv sjell pamjet