TIRANE- Partia Socialiste deklaron se do të çojë sërish në Kushtetuese një pakt të ri detar me Greqinë nëse cënohet kufiri si në 2009. Ilir Gjoni, nënkryetari i Komsionit të Sigurisë Kombëtare deklaron se do çojë cështjen deri në gjykatën ndërkombëtare, nëse shteti fqinj zbaton në mënyrë të njëanshme marrëveshjen e rrëzuar nga Kushtetuesja. "Absolutisht nuk kemi pse të ngurrojmë dhe nuk besoj që opinioni publik, populli shqiptar të jetë aq naiv sa të lejojë një qeveri, sado e papërgjegjshme që të jetë, që të rinegociojë me të njëjtat terma dhe të njëjtat kushte. Pasi të ezaurohen të gjitha rrugët diplomatike dhe ato ndërshtetërore, atëherë besoj se do t'i drejtohen instancave të tjera ndërkombëtare, siç është Gjykata Ndërkombëtare", tha Gjoni. Ndërsa përfaqësuesit e minoritetit grek në parlamentin shqiptar shprehen të ndarë në qëndrimet për paktin. Vangjel Dule i PBDNJ, deklaron se nuk duhet ndryshuar marrëveshja Athinë-Tiranë për kufirin, por Kushtetuta e vendit që pengon hyrjen e saj në fuqi. Ndërsa aleati i PD-së, ministri Spiro Ksera shprehet se çështja do të zgjidhet teknikisht pa cënuar marrëdhëniet mes vendeve.
(sg/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)









