Në një intervistë për Shqiptarja.com. Neritan Ceka, personazh tepër aktiv në ato vite, më pas i zgjedhur dhe si ministër i Brendshëm sjell në vëmendje ditët e vështira e vendimtare për popullin shqiptar, negociatat që arritën Marrëveshjen.
Ishte koha kur vendi ishte përfshirë nga kaosi dhe sytë ishin kthyer nga Tirana ku Perëndimi negocionte nëpër kafene me intelektualë e politikanë shqiptarë për një marrëveshje. Ai tregon detaje sesi u arrit marrëveshja dhe sesi e bindën Berishën të firmoste. “Nuk ishim aty të shpëtonim politikanin Berisha, por institucionin e Presidentit që do të shpallte zgjedhjet. Marrëveshja nxorri vendin nga kaosi”, kujton Ceka.
Sipas Cekës, '97-a nuk ka fajtorë, sepse dhe nëse kishte të tillë, populli as nuk i dënoi por ua pastroi veprat dhe i risolli në pushtet disa herë.
Duke hequr paralele mes qeverisë teknike të atëhershme dhe kërkesave të sotme të opozitës, ish drejtuesi i Partisë Aleanca Demokratike shton, “Kauza e PD sot është e drejtë”.
Zoti Ceka, jemi në mars dhe ky muaj për shqiptarët kujtohet gjithmonë për ngjarje që kanë tronditur Shqipërinë. Si një personazh që keni qenë tepër aktiv në politikën e atëhershme, në kujtesën tuaj, si i ruani, kujtoni ngjarjet e marsit, të vitit ‘97
Ishte një periudhë tepër e vështirë për Shqipërinë, pothuaj një prag katastrofe kombëtare që mund të krahasohet vetëm me shkurtin e vitit 1991, kur vendi ishte në pragun e një Lufte Civile, apo të një kaosi total. Ishte një situatë, kur pushteti kishte humbur legjitimitetin dhe nuk mund të qeveriste vendin, ndërsa populli kishte humbur besimin komunitar dhe secili kishte hyrë në lojën e rezikshme të vetësigurimit të jetës, pasurisë dhe dinjitetit njerëzor me anën e një kallashnikovi të grabitur nga depot ushtarake. Praktikisht Shqipëria nuk egzistone më dhe ai që udhëtonte nga një krahinë në tjetrën kthehej historikisht në periudhën e anarkisë feudale të shek. XVII të zotëruar nga banda dhe kaçakë krahinorë. Vetëm Tirana jetonte qetësinë ditore të kryeqendrës së një pashallëku, ku intelektualë lokalë mund të pinin një kafe në ‘Rogner’ me konsujt e Fuqive të Mëdha dhe gazetarë perëndimorë. Dukej se po përtëriheshin skenat e librave të Pukëvilit, H. Holland, apo W. M. Leake në udhëtimet e tyre nga Janina në Berat, apo në Shkodër.
Kanë kaluar 20 vite dhe mund të keni një ide më të qartë sot se cili është përgjegjësi i ngjarjeve
Nuk ka përgjegjës dhe kjo për faktin e thjeshtë se askush nuk doli përgjegjës për ngjarjet tragjike të 1997 që shaktuan humbjen e qindra jetëve, gjymtimin e qindra të tjerave, shkatërrimin e pronës shtetrore dhe private, si dhe e larguan Shqipërinë të paktën njëdhjetëvjeçar nga integrimi euro-atlantik. Gjykimin nuk mund ta prisnim nga drejtësia, sepse ajo ishte në një shkallë të gjerë përgjegjëse për atë që ndodhi. As për politikanët, sepse ata nuk e njohin vetëpërgjegjësinë. Mbetet që të jetë populli, i cili në pesë zgjedhje që janë bërë që nga ajo kohë jo vetëm nuk i ndëshkoi përgjegjësit me votën e tij, por edhe i pastroi duke i zgjedhur dhe rizgjedhur disa herë. Faji i mbetet gjithmonë popullit, veçanërisht kur ai është i varfër dhe i varur për mbijetesën e tij nga pushteti.
Kriza e marsit erdhi për shkak të Piramidave, apo krizës së rëndë politike të shumicës së kohës?
Kriza e marsit erdhi padyshim nga piramidat, nga paaftësia e pushtetit politik për ta kapur që në fillim mashtrimin dhe për ta menaxhuar situatën. Shpjegimin e asaj gjendje e ka bërë Preç Zogaj në librin e tij “Rënia e zgjedhjeve” dhe unë nuk mund t’i shtoj asgjë të rëndësishme asaj analize të një politikani dhe shkrimtari njëkohësisht. Duhet të theksoj se kriza e mirfilltë politike nuk qëndronte vetëm në arrogancën ekstreme të pushtetit ndaj opozitës, dhe jo vetëm opozitës politike. Kriza qëndronte në faktin se ashtu si në dhjetor të vitit 1991, në mungesë të opozitës politike, pushteti u gjet direkt përballë zemërimit popullor dhe kaosit që shoqëron gjithmonë këtë zemërim. Krijimi i PD në dhjetor 1991 kishte dhënë atëherë mundësinë që të krijohej një amortizator midis masës dhe pushtetit, deri në gjetjen e zgjidhjes politike. Në mars 1997 ky amortizator nuk egzistonte, sepse ishte shkatërruar me dhunë. Kreu i opozitës gjendej në burg, liderat e tjerë ishin arratisur, apo fshehur, gazetat e frymës opozitare ishin mbyllur. Negociuesit ndërkombëtarë kishin dështuar dhe i mbyllën misionet me vizitën pafrut të Vranickit në Tiranë. Konsujt e huaj në Tiranë ishin bërë pjesë e pushtetit dhe vazhdonin të besonin se vetëm një pushtet autoritar mund ta bënte zap një popull “të papregatitur për demokraci”. Në një moment, në politikën e tyre Shqipëria ishte rrokullisur larg në shkullin XVII, apo zhvendosur në ambiente e Afrikës Qëndrore apo Amerikës Latine. Pra disa përgjegjës mund të kërkoheshin edhe jashtë Shqipërisë. Sidoqoftë kishte një rizgjim të shoqërisë civile dhe ishte krijuar Forumi për Demokraci, ku gjendeshin bashkë edhe partitë e vogla të së majtës dhe qendrës, intelektualë të pavarur si Fatos Lubonja dhe drejtues të shoqatës së të përndjekurve politikë, si Kurt Kola.
Çfarë kujtoni nga negociatat për marrëveshjen e marsit që i hapi rrugë qeverisë së pajtimit kombëtar, ndryshe qeveria teknike e Finos?
Në këto raste secili mund të tregojë historinë e tij, që në komentet e atyre që nuk ishin ato ditë, apo nuk kishin lindur ende do të konsiderohej: doni më për Belulin?
Në 4 mars, pasi kishte ikur edhe Vranicki, u takova me P. Zogajn dhe A. Frangajn në Rogner. Pra ishim drejtuesit e një partie të vogël si Aleanca Demokratike dhe të një shtypi të ndaluar si « Koha e Jonë ». Biseduam që të kërkonim një takim me presidentin Sali Berisha dhe të propozonim thirrjen e një tryeze të rumbullaktë të partive politike. Si negociator u dërgua Mero Baze që kishte disa marrëdhënie miqësore me presidentin. E prisnim që Berisha do të pranonte takimin, por çështja ishte se ku do të gjenim përfaqësuesit e partisë së madhe. Morëm kontakt me Namik Doklen dhe i shkuam në shtëpi Mejdanit. Morëm, gjithashtu , siguri për lëvizjen, sepse takimi ishte caktuar në orën 20.00 në presidencë dhe ishte shpallur shtetrrethimi. Me SHIK-un e asaj periudhe nuk bëhej shaka dhe mund të na qëllonin në çdo cep rruge. Grupi negociator u mblodh në shtëpinë time, në rrugën Jul Variboba dhe pasi diskutuam u nisëm për në presidencë. Kishim marrë vetëm një vendim sine qua non-pra të panegociueshëm, dhe ai ishte: zgjedhje të parakohëshme për legjitimimine pushtetit dhe qeveri teknike për përgatitjen dhe menaxhimin e zgjedhjeve.
Marsi i vitit ‘97 ka qenë momenti më i vështirë i Berishës. Marrëvëshja e Pajtimit a ishte një frymëmarrje për të?
Pozitën e presidentit Berisha në atë ditë që e takova në zyrën e tij pas pesë vitesh ndarje dhe kundërvënie politike nuk do t’ja uroja askujt. Në atë moment mu duk se u afruam përsëri si në dhjetorin e vitit 1990, nga që na bashkonin gjëra shumë më të rëndësishme se ato që na ndanin. Kjo ishte edhe ndjesia e tij me një frazë pothuaj ndjese që na drejtoi mua dhe Preçit. Megjithatë ishte një negociator i vështirë, deri sa u bind se nuk kishte rrugë tjetër për të shpëtuar gjërat e mëdha dhe për të rifituar përsëri një ditë ato të voglat që të ofron pushteti. Natyrisht që pavarësisht nga nostalgjitë nuk ishim atje për të shpëtuar politikanin Berisha, por presidentin Berisha, pra institucionin që sipas Kushtetutës kishte tagrën e shpalljes së zgjedhjeve, por edhe dhënien e mandatit të një qeverie teknike që do të çonte vendin në zgjedhje. Brenda dy ditësh u kuptuam dhe u hap rruga për një zgjidhje politike, e cila e nxorri vendin nga kaosi më shpejt se sa të gjitha fuqitë e mëdha dhe konsujt e tyre në Tiranë.
Sot opozita e kërkon një qeveri teknike për zgjedhjet. A jemi në të njëjtat kushte?
Natyrisht që nuk jemi në të njejtat kushte, por nuk dëshëroj të shprehem në një diskutim që është jashtë angazhimeve të mija aktuale. Por, si zgjedhës i qershorit të 2017 duhet të them se kauza është e drejtë. Jo kauza e partive dhe as e OSBE, të cilat me dashje, apo pa dashje nuk kanë arritur të sigurojnë për Shqipërinë as edhe standartin e nje vendi tjetër shqiptarësh, siç është Republika e Kosovës. Pas 26 vjetësh, qindra-mijëra qytetarë që kanë rrezikuar për demokracinë, që jetojnë dhe mendojnë si europjanë, që kanë vendosur edhe për fëmijtë e tyre të jetojnë në Shqipëri, por si vend europian, gjenden para të njejtave komisione zgjedhore të stisura nga partitë e mëdha, që kanë krijuar kulturën e blerjes së votave, të falsifikimit të procesverbaleve, të çnumurimit dhe rinumurimit të votave, të grabitjes së votave të subjekteve që nuk përfaqësohen në komisione, të cilat kurrë nuk kanë kërkuar falje për përbaltjen e së vetmes ditë kur populli është në pushtet, të ditës së shenjtë të zgjedhjeve. Zgjedhësit shqiptarë në një çerek shekulli, që është diçka edhe në jetën e një populli, gjenden përpara të njejtave raporte të OSBE që janë copy-paste të atyre të mëparshme, ku shkruhet se ka përmirësime, por lihet ende për të dëshiruar dhe që bëjnë sikur nuk kuptojnë se Shqipëria është i vetmi vend (po mos të llogarisim Korenë e Veriut), ku votat i numërojnë po ata që kandidojnë dhe se përderisa vota i numërojnë komisione partiake, ata do të gjejnë mënyrën të manipulojnë edhe mjetet më të sofistikuara elektronike. Bëjnë sikur nuk kuptojnë se, në qoftë se të dy partitë e mëdha do të vendosnin që votat të numuroheshin sipas modelit francez, italian, austriak, pra jasht partive politike, numërimi elektronik do të ishte pjesë e normalitetit të jetës aktuale, kur edhe parkimi i makinave paguhet nga celulari. Nuk jam shumë i sigurt, në se atëherë do të kishte më nevojë për OSBE në Shqipëri.
Duke iu kthyer zhvillimeve të Marsit, si e menaxhoi opozita atë krizë?
Ashtu siç e shpjegova më lart, e menaxhoi në kohën kur u kërkua nga situata dhe në mënyrën më të qytetëruar dhe patriotike. Për fat të mirë gjeti edhe një pozitë që u ndërgjegjësua për zgjidhjen politike përmes zgjedhjeve të parakohëshme.
Hapja e depove të armëve, ishte një skenar i mirëpërgatitur, apo mosmenaxhimi i situatës nga autoritetet e kohës?
Nuk ka pasur një skenar të opozitës, përderisa opozita nuk egzistonte. Pas vendosjes së qeverisë nga zgjedhjet e qershorit 1997 janë bërë hetimet përkatëse nga prokuroria dhe nga policia e shtetit dhe nuk ka asnjë fakt për një organizim politik të hapjes së depove. Kjo do të ishte njëlloj që të akuzoheshin ata që krijuan PD për ngjarjet e dhjetorit 1991, apo për ato të shkurtit 1991. Përkundrazi, në të dy rastet PD ishte balancuesja e atyre ngjarjeve nga rreziku i një kaosi drejt zgjidhjeve politike, zgjedhjeve dhe krijimit të institucioneve legjitime demokratike.
Ndalemi tek qeveria e dalë pas zgjedhjeve. Ju u bëtë ministër i Rendit. Sa të vështirë e patët për të menaxhuar kaosin që la ’97?
Kisha privilegjin se vija nga një parti e vogël dhe nuk isha pjesë as e klaneve dhe as e premtimeve elektorale. Isha edhe me fat që pata një staf të mrekullueshëm policësh të karrierës të drejtuar nga Sokol Bare dhe një bashkëpunim shumë të mirë me SHIK-un e drejtuar nga Fatos Klosi, apo prokurorinë e drejtuar nga Arben Rakipi. Ajo kohë kujtohet si periudhë e sakrificës dhe përkushtimit të policisë, e cila e ngriti shtetin nga hiri. Nuk është e rastit që një pjesë e mirë e kuadrove drejtuese të policisë së sotme, vijnë nga ajo periudhe dhe i qëndruan të gjitha dallgëve politike për shkak të përkushtimit dhe aftësisë.
Nga cili qytet e nisët luftën për bandat e ’97?
E nisëm nga Vlora për një arsye të thjeshtë, sepse akuzoheshim që ishte opozita që kishte krijuar bandat e Vlorës. Më kujtohet deputeti i paharruar, shkrimtari Sabri Godo që më pat thëne: Zogut ju deshën pesë vjet që të çarmatoste shqiptarët dhe të vendoste rendin, ti për sa mendon se do ta bësh, sepse unë i bëj pushimet gjithmonë në Sarandë, në muajin në shtator, si thua, ta rezervoj hotelin? Unë ju përgjigja se popullin nuk e çarmatos policia, duke kontrolluar shtëpitë dhe duke ndëshkuar qytetarët, por duke vendosur rendin. Vetëm atëherë qytetarët i dorëzojnë vetë armët. Godo i bëri me të vërtetë pushimet në Sarandë pas pesë javësh, por dorëzimi i armëve vazhdon edhe në ditët e sotme.
Keni ndonjë moment, apo deklaratë që nuk ka dalë ende në dritë nga muaji mars i ’97?
Nuk i kam shkruar ende kujtimet e asaj kohe dhe nuk i kam fshehur publikut asnjë dokument të rëndësishëm. Kujt do t’i shërbejnë dhe kush i lexon, përveç manjakëve të komenteve, që turren në epshin e tyre për t’u bërë të paktën një minutë të rëndësishëm në postimet elektronike, ku zbulojnë spiunë, megallomanë, sahanlëpirës, etj,etj. Në heshtjen e plotë për ngjarjen e 21 marsit 1991, kur u mënjanua ndeshja midis turmës dhe gardës së dogmatizuar, që mund ta kishte çuar vendin në luftë civile, a dini se çfarë shkruante njëri nga këta manjakë: Neritan Ceka e largoi turmën nga ura e Lanës, sepse donte të shpëtonte bllokmenët në vilat e Bllokut! Po të kishte pyetur ndonjë gazetar të thjeshtë të asaj kohe, do të kishte mësuar, se nuk kishte asnjë bllokmen në Bllok, sepse ja kishin mbathur të gjithë, me kuçe e me mace në vilat e malit të Dajtit, të rrethuar me tanke dhe ushtarë të gardës. Kam përshtypjen që edhe media po i largohet gjithmonë pasqyrimit të ngjarjeve 1990-1998, kur u hodhën themelet e shtetit demokratik shqiptar, me të mirat dhe të metat e veta, por me ambicje e perspektivë të qartë europiane.
Siç shkruante Migjeni i madh:
Përditë perëndojnë zotat…
dhe tash s’po dihet se kush asht zot e kush njeri.
Në fakt Zot është sot ai që ka paratë dhe pushtetin dhe çbën historinë, për ta shkruar siç i vete atij përmbarë.
*Qeveria e Pajtimti Kombëtar u krijua si pasojë e ngjarjeve të vitit 1997, të nxitura nga falimentimi i skemave piramidale. Kjo qeveri erdhi 1 javë pas dorëheqjes së qeverisë së Aleksandër Meksit, më 2 Mars 1997. Qeveria e Pajtimit Kombëtar u krijua falë vullnetit politik të partive kryesore të vendit dhe ndërhyrjes ndërkombëtare. Në datat 6 dhe 9 Mars 1997, në kulmin e trazirave në vend, forcat politike nënshkruan marrëveshjen për krijimin e qeverisë së re, me pjesëmarrje të gjerë politike. Kryetar i saj u zgjodh socialisti Bashkim Fino, kryetar i Bashkisë Gjirokastër. Qeveria e re u votua më 11 Mars 1997 nga parlamenti dhe u dekretua nga Presidenti i Republikës, Sali Berisha më 12 Mars. Fino shpalli si program të qeverisë 4 pika kryesore: stabilizimin e rendit publik dhe vendosjen e qetësisë, stabilizim të situatës ekonomike dhe të furnizimit të popullit, zotërimin e gjendjes financiare dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira.
(Shqiptarja.com)