Donald Trump thotë se plani i Mbretërisë së Bashkuar për t’i dorëzuar sovranitetin e Ishujve Chagos Mauritiusit është një “akt prej budallallëku të madh.” Sipas presidentit të SHBA-ve, marrëveshja që parashikon ruajtjen e një baze ushtarake britanike në territor, por duke dorëzuar sovranitetin, është një nga arsyet pse SHBA-të duan të marrin  nën kontroll Groenlandën.

“Në mënyrë tronditëse, aleati ynë ‘i shkëlqyer’ i NATO-s, Mbretëria e Bashkuar, aktualisht po planifikon t’ia dorëzojë Ishullin e Diego Garcias, vendndodhjen e një baze ushtarake jetike amerikane, Mauritiusit, dhe ta bëjë këtë pa asnjë arsye. Nuk ka asnjë dyshim se Kina dhe Rusia e kanë vënë re këtë akt dobësie totale. Këto janë fuqi ndërkombëtare që njohin vetëm forcën, prandaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen time, tani, pas vetëm një viti, respektohen si kurrë më parë. Fakti që Mbretëria e Bashkuar po heq dorë nga territori jashtëzakonisht i rëndësishëm është një akt i budallallëkut të madh dhe është një tjetër në një varg shumë të gjatë arsyesh të Sigurisë Kombëtare pse Groenlanda duhet të merret. Danimarka dhe aleatët e saj evropianë duhet të bëjnë gjënë e duhur. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”, shkroi ai në Truth Social.

Ç’është marrëveshja e Ishujve Chagos?

Mbretëria e Bashkuar ra dakord vitin e kaluar për një marrëveshje për t’ia dorëzuar Mauritiusit sovranitetin e saj mbi Ishujt Chagos, ndërsa do të ruajë kontrollin mbi një bazë ushtarake britaniko-amerikane në Diego Garcia, ishullin më të madh i territorit.

Kryeministri Sir Keir Starmer thotë se marrëveshja 99-vjeçare për ta marrë sërish me qira Diego Garcian do t’i kushtojë Mbretërisë së Bashkuar 101 milionë paund në vit.

Ishujt u ndanë nga Mauritiusi në vitin 1965, kur vendi ishte ende një koloni britanike. Britania i bleu ishujt për 3 milionë paund, por Mauritiusi ka thënë se u detyrua në mënyrë të paligjshme të hiqte dorë prej tyre si pjesë e një marrëveshjeje për të fituar pavarësinë.

Britania e ftoi SHBA-në të ndërtonte një bazë ushtarake në Diego Garcia, gjë që çoi në largimin e mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre.

Disa prej banorëve të Chagos përfunduan në Mauritius dhe në Ishujt Seychelles, por të tjerë u vendosën në Mbretërinë e Bashkuar, kryesisht në Craëley, në Ëest Sussex.

Vitin e kaluar, Trump tregoi se do të ishte i gatshëm të mbështeste marrëveshjen e Mbretërisë së Bashkuar për t’ia dorëzuar sovranitetin e Ishujve Chagos Mauritiusit.

Në maj, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio e quajti marrëveshjen një “arritje monumentale”.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:09
Kritikat për Ishujt Chagos, Mbretëria e Bashkuar reagon ndaj Trump: Nuk do të bëjmë kurrë kompromis për sigurinë kombëtare

Mbretëria e Bashkuar ka publikuar një reagim zyrtar ndaj kritikave të Donald Trump për marrëveshjen e saj mbi Ishujt Chagos.

Mbretëria e Bashkuar nuk do të bëjë kurrë kompromis për sigurinë kombëtare”, tha një zëdhënës i qeverisë. “Ne vepruam sepse baza në Diego Garcia ishte nën kërcënim sepse vendimet gjyqësore minuan pozicionin tonë dhe do ta kishin penguar atë të funksiononte siç ishte parashikuar në të ardhmen.”

Zëdhënësi shtoi se marrëveshja “siguron operacionet e bazës së përbashkët SHBA–MB në Diego Garcia për breza të tërë.

“Ajo është përshëndetur publikisht nga SHBA-ja, Australia dhe të gjithë aleatët e tjerë të Five Eyes, si edhe nga partnerë kyç ndërkombëtarë, përfshirë Indinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut.”

Diskutimi mbi Ishujt Chagos

Ishujt ishin nën varësinë e Mauritiusit kur ai ishte koloni franceze, por Mbretëria e Bashkuar i përfshiu Ishujt Chagos si pjesë të Mauritiusit në fillim të shekullit XIX dhe i mbajti ata edhe pas shpalljes së pavarësisë së vendit në 1968-ën.

Në fillim të viteve 1970, Mbretëria e Bashkuar dëboi të gjithë banorët nga arkipelagu në mënyrë që SHBA-të të mund të ndërtonin një bazë detare në ishullin më të madh, Diego Garcia.

Pse baza e Diego Garcias është kaq e rëndësishme?

Ajo u është dhënë me qira SHBA-ve, por funksionon si një bazë e përbashkët MB–SHBA. Që nga viti 1971, vetëm personeli ushtarak mund të hynte në të

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar se “vendndodhja e saj strategjike” e bën atë “jetike për projektimin e fuqisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së në Oqeanin Indian dhe më gjerë”. Ajo përshkruhet si “një platformë e përbashkët unike” që mundëson një prani ushtarake MB–SHBA “në të gjithë Lindjen e Mesme, Indo-Paqësorin dhe Afrikën”.

Sir Keir Starmer ka theksuar se baza është përdorur për të dislokuar avionë për të “mposhtur terroristët në Irak dhe Afganistan”.

Pse Mbretëria e Bashkuar pranoi t’i kthejë ishujt?

Mauritiusi dhe Mbretëria e Bashkuar kanë pasur mosmarrëveshje për ishujt e Oqeanit Indian për 50 vitet e fundit.

Në vitin 2010, Mauritiusi nisi një çështje ligjore kundër Mbretërisë së Bashkuar dhe në vitin 2018 e çoi çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në nëntor 2022, qeveria konservatore nisi negociatat për sovranitet me Mauritiusin, por i ndërpreu ato një vit më vonë pasi një studim nga tre akademikë paralajmëroi se transferimi i ishujve do të ishte një “goditje e madhe e vetëshkaktuar”.

Qeveria laburiste i rifilloi bisedimet dhe nënshkroi një marrëveshje për kthimin e ishujve në maj të vitit të kaluar.

Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar mund t’i kishte humbur ishujt për shkak të pretendimit ligjor të Mauritiusit mbi Ishujt Chagos, gjë që mund t’u kishte lejuar vendeve armiqësore të ngrinin bazat e tyre ose të kryenin stërvitje ushtarake.

Qeveria tha se marrëveshja përfundimtare trajtoi gjithashtu “padrejtësitë e së kaluarës” dhe tregoi “angazhimin e të dyja palëve për të mbështetur mirëqenien” e banorëve të ishujve.