Një javë pasi në parlamentin maqedonas u votua zyrtarisht ndryshimi i emrit të ri të Maqedonisë, në Greqi ky lajm ka ngjallur sërish reagim dhe protesta. Rreth 100 mijë qytetarë raportojnë mediat greke protestuan sot në sheshin Syntagma para Parlamentit kundër emrit të ri. Protestuesit kundërshtojnë Marrëveshjen e Prespës dhe thonë se kjo marrëveshje është tradhti ndaj popullit grek. Për të neutralizuar turmën e njerëzve, policia ka përdorur gaz lotsjellës, ndërsa raportohet për 44 të plagosur, mes tyre 20 policë.

Protesta e grekëve vjen pas marrëveshjes që u arrit mes Tsipras dhe Zaev. Ata nënshkruan një marrëveshje që u firmos në brigjet e liqenit të Prespës. Kjo marrëveshje, jep mundësi për të zgjidhur konfliktet shumëvjeçare mes Greqisë dhe Maqedonisë, për çështjen e emrit të Maqedonisë. Pas kësaj, Maqedonia quhet tashmë “Republika e Maqedonisë së Veriut, por marrëvëshja duhet të kalojë edhe në parlamentin grek, gjë që kundërshtohet nga qytetarët.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:17
Përplasja në Athinë, plagosen policë dhe protestues

Nga përplasja në Athinë raportohet për disa policë të plagosur, por edhe protestues. Policia ka përdorur gazlotsjellës për të shpërndarë turmën, por reagimi i protestuesve ka qenë i ashpër. Sipas mediave të vendit fqinj janë mbi 10 policë të plagosur dhe disa protestues, të cilët janë lënduar pasi kanë shkelur njëri-tjetrin duke u përpjekur për të dalë nga tuma. 

Ora 15:02
Athinë, protestuesit përplasen me policinë (VIDEO-FOTO)

Policia ka rrethuar Parlamentin e Greqisë, ndërsa janë shënuar përplasjet e para mes efektivëve dhe protestuesve. Këta të fundit edhe pse të vogël në numër, kanë tentuar të hyjnë në pjesë e sipërme të sheshit në drejtim të Parlamentit, por kjo gjë është ndaluar dhe penguar nga policia.

Ora 14:27
Marrëveshja e Prespës, protesta në Athinë, grekët mbushin sheshin para parlamentit (FOTO)
Ora 14:22
Protesta kundër emrit të Maqedonisë, grekët përleshen me policinë, përdoret gaz lotsjellës

Qytetarët grekë janë përleshur me policinë sot në protestën para Parlamentit. Policia ka përdorur gaz lotsjellës kundër protestuesve. Disa protestuesë janë lënduar, ndërkohë që mijëra qytetarë kanë mbërritur nga cdo cep i Greqisë në protestë.