Sot u finalizua marrëveshja mes shoqërisë Ficantieri dhe kompanisë KAYO për të prodhuar në Shqipëri në kantierin e Pashalimanit anije lundruese. Partneriteti i hap rrugë prodhimit në Shqipëri të mjeteve lundruese detare, jo vetëm për nevojat e vendit, por edhe për eksport në tregjet ndërkombëtare, tha kryeministri Rama.
“Kemi arritur në një pikë shumë të rëndësishme për të ardhmen dhe jo vetëm të aparatit të sigurisë së Shqipërisë dhe FA, por edhe ekonomisë e së ardhmes së të rinjve shqiptarë. Është një marrëveshje për të krijuar një shoqëri të re. Është një marrëveshje për të prodhuar në Shqipëri, në kantierin e Pashalimanit, anije lundruese në dobi të ushtrisë shqiptare dhe ushtrive të tjera të vendeve aleate. Ajo që e bën këtë marrëveshje të veçantë është se bota e kantierëve po ndryshon dhe kjo marrëveshje kërkon që të përcaktojë një vullnet e vizion për të ndryshuar këtë ndryshim me diçka të re që do të krijojë një ekselencë italo-shqiptare në territorin tonë dhe që do t’i shërbejë botës së kantierëve. Nga ana tjetër, kjo marrëveshje është një lajm shumë i mirë për të rinjtë, për vajzat e djemtë e shkollës industriale të Vlorës, të cilët do të jenë të parët, të cilët do të kontaktohen dhe do të ftohen për të marrë pjesë në një rrugëtim formimi të përshtatur për të qenë nesër dhe jo në një të ardhme të largët, por në një të ardhme shumë të afërt pjesëmarrës, të kësaj shoqërie të re ekselence në territorin e tyre, pra në qytetin e tyre të lindjes dhe ata sigurisht do të jenë të shoqëruar në rrugën e tyre të formimit nga profesionistët e Fincantieri-t dhe do të arsimohen si në Itali, pikërisht aty ku Fincantieri ka dhe shpirtin e saj, bazën e saj, por edhe në Shqipëri, në Pashaliman ku ky shpirti i dytë themi do të marri jetë së shpejti”, tha Rama.
Shqipëria do të jetë e para që përfiton nga marrëveshja pasi dy anijet e para do të jenë për Forcat e Armatosura duke e çuar flotën në 7, shtoi kryeministri.
“Kjo marrëveshje hap rrugën për një diskutim të ri për arsye ekonomike sepse do të jemi të parët që do të përfitojmë nga produktet e Shqipërisë, nga dy anijet e para që do të ndërtohen për FA dhe do të çojnë në 7 numrin e flotës sonë. Prodhimi do të vijojë për të eksportuar këto anije, aty ku sigurisht është e qartë që teknologjia e re dhe inovacioni do të implementohet”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se Shqipëria nuk vendos dot fatin e botës, por mund të rrisë nivelin e mbrojtjes.
“Është vetëm fillimi, shpresoj që lufta të përfundojë, por ndërkohë Shqipëria është shumë e vogël për të vendosur të ardhmen dhe fatin e botës, por duhet të përshtatemi për të pasur një mbrojtje dinjitoze dhe për të pasur gjithçka që nevojitet për të qenë në lartësinë e një vendi të vogël. Por krenar në aleancën e NATO ku ne bëjmë pjesë”, tha Rama.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, tha se marrëveshja sjell vende të reja pune dhe fuqizim të eksportit.
“Sot me këtë nënshkrim shoqëria KAYO fillon një hap të ri. Do të arrijmë të prodhojmë për nevojat e eksportit. Shqipëria bëhet një bazë e re europiane e Ficantierit për anijet e vogla e të mesme, zgjeron aktivitetin. Ficantieri do të sjellë edhe punë dhe në planin e biznesit që kemi nënshkruar, rreth 400 persona do të punësohen në këtë kantier të ri. Rritje të kapaciteteve vendase prodhuese dhe humane”, tha ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi.
Bashkëpunimi mes Kayos dhe Fincantierit, ishte pjesë e marrëveshjes së partneritetit strategjik të firmosur në Romë vitin e kaluar. Kayo do të përfshihet në një shoqëri të përbashkët me gjigandin italian të prodhimit të anijeve ushtarake, Fincantieri. Ndërmarrja ushtarake shqiptare, me kapital shtetëror, do duhet të ketë jo më pak se 40 përqind të aksioneve të shoqërisë e cila do të shfrytëzojë kantierin e Pashalimanit.
Marrëveshja e sotme është një prej disa të tjerave që Kayo ka firmosur, që nga prodhimi i mjeteve ushtarake, uniformave deri te dronët luftarakë.
Komente











Lajm frymezues per ekonomine shqiptare.
Përgjigju