TEL AVIV - Pas një pritjeje të gjatë dhe vonesës në dorëzimin e listës së pengjeve që do të lirohen në përputhje me marrëveshjet për armëpushimin, këtë mëngjes Hamas ka bërë të ditur emrat e tre grave që do të lirohen sot: Romi Gonen, Emily Damari dhe Doron Steinbrecher. Ja kush janë dhe si janë rrëmbyer.
Romi Gonen, 23 vjeçe
Ajo është dëgjuar për herë të fundit në orën 10:58 të datës 7 tetor 2023, ndërsa ajo dhe shoqet e saj po përpiqeshin të shpëtonin nga sulmi i Hamasit në festivalin Supernova. Gonen ka biseduar me nënën e saj, Meirav Gonen, gjatë gjithë mëngjesit, që nga momenti kur Hamasi nisi sulmin në orën 6:30.
Ajo ishte në makinë me shoqet kur, në orën 10:15, i tha nënës së saj se grupi i Hamasit i kishte goditur dhe qëlluar. Kur makina u gjet më pas, ajo ishte bosh. Telefoni i Romi-t u lokalizua më pas në Gaza.
Romi Gonen
Emily Damari, 27 vjeçe
Ajo u mor peng atë mëngjes gjatë sulmit në kibbutzin Kfar Aza. Damari ka dy pasaportat, britanike dhe izraelite. Mesazhi i saj i fundit është dërguar në orën 10:00 të mëngjesit të datës 7 tetor 2023, kur ajo shkroi se anëtarët e grupit të Hamasit ishin në lagjen e saj dhe po qëllonin rreth apartamentit të saj.
Bar Kislev, një mik që ka mbijetuar nga masakra, më pas tregoi se kishte parë makinën e Damarit, të drejtuar nga një anëtar të Hamasit, që ndaloi përpara shtëpisë së tij dhe më pas u nis me shpejtësi drejt Gazës. Nga 37 banorët e lagjes, 11 janë vrarë dhe shtatë janë rrëmbyer dhe çuar në Rripin e Gazës. Në janar 2024, ish-pengu Dafna Elyakim, 15 vjeçe, tregoi se ajo dhe motra e saj e vogël kishin takuar në një tunel të Hamasit Romy Gonen dhe Emily Damari.
Emily Damari
Doron Steinbrecher, 31 vjeçe
Ajo ishte në apartamentin e saj në Kibbutz. Infermierja veterinare, ishte në kontakt me motrën e saj, Yamit Ashkenazi dhe prindërit e tyre, që jetonin të gjithë në Kibbutz. Në orën 6:30 të mëngjesit, Ashkenazi ishte me familjen e saj, përfshirë fëmijët e saj 3 dhe 6 vjeç, në dhomën e sigurt ku qëndruan për 21 orë, pa ushqim dhe pa ujë. Prindërit e saj ishin në shtëpinë e tyre në Kfar Aza, dhe kopshti i tyre ishte përdorur nga Hamasi si një lloj selie, pa u përpjekur askush të hynte në shtëpi.
Në orën 10:30, Doron i tha prindërve të saj se ishte frikësuar dhe se Hamasi kishte mbërritur në ndërtesën e saj. Më pas ajo dërgoi një mesazh zanor tek miqtë e saj, ku thoshte: "Kanë ardhur, më kanë marrë." I ati ka qenë gjithmonë shumë skeptik për mundësinë që ajo të ishte ndër të parat që do të lirohej: "Është e re dhe nuk ka dy pasaportat", tha ai. Dhe megjithatë, këtë mëngjes emri i saj ishte në krye të listës./La Repubblica