Marrëveshja me Italinë/ 'La Repubblica': Të mërkurën pritet të niset anija e parë me emigrantë drejt Gjadrit, por mund të jetë edhe udhëtimi i fundit! Çfarë mund të ndodhë?

Marrëveshja me Italinë/ 'La Repubblica': Të mërkurën pritet të niset anija e parë me emigrantë drejt Gjadrit, por mund të jetë edhe udhëtimi i fundit! Çfarë mund të ndodhë?

Kampi i emigrantëve në Gjadër

Tani që pritja e gjatë ka përfunduar, qeveria italiane dëshiron të veprojë me shpejtësi. Dhe po ecën përpara me operacionin "Shqipëria", i trumbetuar për muaj të tërë, i cili megjithatë rrezikon të ‘fundoset’ vetëm pak kilometra nga fillimi. Udhëtimi i parë i anijes me emigrantë përmes Jonit dhe Adriatikut mund të rezultojë një dështim. Dhe rreziku për qeverinë italiane nuk është vetëm të mbeten bosh ato qendra që do të kushtojnë gati një miliard euro në pesë vjet, por edhe që të përballet me një padi për dëm financiar në Gjykatën e Auditimit.

Plani për kapjen dhe dërgimin e emigrantëve në Gjadër, që iu komunikuar të gjithë aktorëve të përfshirë në marrëveshjen Itali-Shqipëri, funksionon kështu: anija e Marinës Ushtarake me 300 vende mund të niset që sot dhe gjithsesi të qëndrojë duke filluar nga nesër në një distancë rreth njëzet milje nga brigjet e Lampeduzës. Në këtë anije do të vendosen të gjithë emigrantët e kapur në det të hapur në orët në vijim nga Roja Bregdetare në ujërat ndërkombëtare, por në zonën Sar të Italisë. Anija e Marinës mund të qëndrojë aty, teorikisht për një kohë të pacaktuar, sepse është e vërtetë që udhëtimet e parashikuara çdo muaj janë pesë ose gjashtë, por do të duhet të presë çdo herë që të mbushet të paktën pjesërisht dhe kjo varet nga frekuenca e udhëtimeve dhe kapaciteti i varkave që nisen me emigrantë, nga kushtet e detit dhe nga gjendja e emigrantëve në bord.

Në fakt, anija e Marinës do të funksionojë si një qendër përpunimi, aty do të kryhet një kontroll i parë i emigrantëve të kapur në det, ku do përjashtohen gratë, të miturit, të sëmurët, të cilët do të dërgohen në Lampeduzë, në pritje që kërkesa e tyre për azil të shqyrtohet nga komisionet territoriale. Një lloj zbarkimi selektiv që kujton atë që ndodhi me anijet "Humanity 1" dhe "Geo Barents" në Katania, por që ndryshe nga ajo procedurë e shpallur "e paligjshme", kësaj here përcakton një destinacion alternativ për të tjerët: Shqipërinë.

Për emigrantët burrat që do të kapen në det dhe do vendosen në varkën e Marinës, përfaqësues të Ministrisë së Brendshme të Italisë do të përcaktojnë origjinën nga një prej 22 vendeve të konsideruara të sigurta nga lista që u përditësua këtë vit nga Ministria e Jashtme Italiane. Më pas ata do të dërgohen në kampin në Gjadër. Nisja e parë e anijes së madhe është planifikuar për të mërkurën. Pasi të mbërrijnë në portin e Shëngjinit, në veri të Shqipërisë afër kufirit me Malin e Zi, emigrantët do të zbresin dhe do t’i nënshtrohen një kontrolli më të detajuar. Ata më pas do të transferohen në Gjadër, një ish-bazë e Forcave Ajrore Shqiptare, rreth njëzet kilometra drejt brendësisë së vendit, ku ndodhen tre struktura të dorëzuara më 9 tetor në Ministrinë e Brendshme Italiane: një qendër mbajtjeje për azilkërkuesit me 880 vende (nga të cilat deri më sot janë gati vetëm 400, më pak se gjysma), një CPR me 144 vende dhe një burg i vogël me 20 vende.

Pikërisht këtu, në këtë mega-strukturë, emigrantët që i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara të kufirit do të mbahen me një urdhër ndalimi të firmosur nga prefekti i Romës, i cili duhet të konfirmohet brenda 48 orëve nga gjyqtarët e seksionit të imigracionit në Romë, ndërkohë që brenda katër javësh do të vendoset për refuzimin e mundshëm të kërkesave të tyre për azil. Dhe pikërisht këtu, plani "Shqipëria" përplaset me vendimin e dhënë më 4 tetor nga Gjykata e Drejtësisë Evropiane, i cili cenon themelet e gjithë marrëveshjes duke e bërë atë në thelb të pazbatueshme.

Ajo që thonë gjyqtarët e Luksemburgut është që një vend, për t’u cilësuar si i sigurt, nuk duhet të përdorë "persekutimin, torturën ose trajtimet e tjera çnjerëzore" në asnjë prej zonave të tij dhe për asnjë person. Një kriter shumë i ndryshëm nga ai i Ministrisë së Jashtme Italiane, i cili tani e detyron Italinë të rishikojë tërësisht listën e saj të vendeve të sigurta, duke përjashtuar, për shembull, Tunizinë, Egjiptin dhe Bangladeshin, nga të cilat vijnë pjesa më e madhe e azilkërkuesve. Praktikisht, vetëm afrikanët nga Kepi i Gjelbërt do të mbeten të mbyllur në kampet në Shqipëri, deri në riatdhesimin e tyre të shpejtë. Nëse gjyqtarët, që pritet të vendosin tashmë gjatë fundjavës së ardhshme, do të zbatojnë vendimin europian, siç duket e pashmangshme, dhe siç ka ndodhur tashmë në Palermo ku janë refuzuar disa kërkesa për konfirmimin e mbajtjes së qytetarëve tunizianë, praktikisht asnjë nga emigrantët nuk do të mund të mbahet në Shqipëri. Dhe ata do të duhet të rikthehen në Itali.

Është kjo çështja që rrezikon të hedhë në erë gjithçka, duke hequr të gjithë bazën ligjore për funksionimin e marrëveshjes. Dhe nuk është i vetmi problem. Paditë e tjera mund të ngrihen lidhur me vlerësimin e cenueshmërisë së migrantëve, procedurë që në bordin e anijes qendër do të duhet të kryhen me shpejtësi. Gjithashtu, ekziston çështja e ndjeshme e mbrojtjes ligjore, ku avokatët do të jenë vetëm në distancë dhe seancat do të zhvillohen vetëm përmes videokonferencës./La Repubblica

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emigrante: 13/10/2024 16:51

    Kesaj i thone Peshku ne det e tigani ne zjarr. Prandaj po' vonon zbatimi i marreveshjes per pensionet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë