Marrëveshja PDK-LDK,VV e AAK
protestojnë:Të rrëzojmë qeverinë

Marrëveshja PDK-LDK,VV e AAK<br />protestojnë:Të rrëzojmë qeverinë
PRISHTINE - Një ditë pas marrëveshjes së arritur mes Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të formuar qeverinë e re gati gjashtë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kanë dalë dhe reagimet e para. Marrëveshja e një dite më parë (19 nëntor) është arritur në një takim mes Thacit e Mustafes me presidenten e Kosovës, ku mori pjesë edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson.
 
Ndërkohë sot marrëveshja për koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës ka marrë mbështetjen unanime të Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e saj të mbajtur të enjten në selinë e kësaj partie. Mediat Kosovare shkruajnë se Isa Mustafa do të jetë kryeministri i ri, ndonëse ende nuk janë zbuluar postet e tjera qeveritare.
 
Marrëveshja e së mërkurës, i dha fund bllokadës së gjatë politike që e vuri Kosovën në krizën më të thellë institucionale që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008.

Dy ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të tetë qershorit, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën arritën një marrëveshje për krijimin e institucioneve me synimin për të lënë Partinë Demokratike në opozitë. Më pas këtij koalicioni ju bashkua lëvizja Vetëvendosje. Sipas asaj marrëveshje Lidhjes Demokratike duhej t’i takonte posti i kryetarit të Parlamentit, ndërsa Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ai i kryeministrit.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vlerësoi se posti i kryetarit të Parlamentit i takon Partisë Demokratike që doli e para në zgjedhje. Ditë më parë, partitë e koalicionit pas zgjedhor thanë se do të heqin dorë nga pretendimi për këtë post dhe realisht, kjo shënoi edhe fundin e tij.

Kjo është hera e dytë që Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike merren vesh për koalicion qeverisës. Ato së bashku qeverisën vendin nga viti 2007 deri në vitin 2010 kur vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së presidentit të atëhershëm të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Thaçi: Kjo marrëveshje e vonuar
Kryetari i PDK-së, Hashim Thaci ka deklaruar se marrëveshja e djeshme, të cilën e quajti marrëveshje ‘të vonshme’ ka ndodhur me iniciativën e tij dhe të Isa Mustafës.

Thaci nuk ka treguar se kush do të jetë kryeministër i dalë nga kjo marrëveshje. “Ne kemi formuar grupët e punës dhe gjithçka do të jetë transparente dhe do të ndahen natyrisht pozitat kryesore”, është përgjigjur Thaçi  në pyetjen se kush do të jetë kryeministër nga kjo marrëveshje.

thaci


Ai konsideron se kjo marrëveshje ka sjellë vendin në një situatë të re, ndërsa ka thënë se është një marrëveshje cilësore dhe shumë e domosdoshme për vendin. Thaçi ka bërë të ditur se kryesia e PDK-së i ka dhënë mbështetje të plotë kësaj marrëveshjeje.


Haradinaj: Dy shkolla të dështuara të qeverisjes
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hardinaj tha se një qeverisje e tillë pati dështuar si mos më keq gjatë viteve 2008-2010. Në një takim me gazetarët të mbajtur të enjten në Prishtinë, ai e ka cilësuar marrëveshjen e arritur ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës si “përzierje të dy shkollave të dështuara qeverisëse, e cila do të shkaktojë regres të vazhdueshëm në Kosovë”.

haradinaj

Duke shprehur bindjen se "kjo marrëveshje do të dështojë", Haradinaj u ka bërë thirrje “përkrahësve dhe strukturave të Aleancës, qytetarëve të Kosovës, pa dallim përkatësie politike, fetare apo etnike, shoqërisë civile dhe mediave, kolegëve të partive opozitare, që të mos nënshtrohen dhe të mos e pranojnë kapjen e shtetit”.

Kurti: Te bejme gjithcka per te larguar kete qeveri
Edhe Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk është i kënaqur nga kjo marrëveshje. Kurti iu ka bërë thirrje partive tjera politike për të bërë gjithçka në Kuvend dhe me rrugë për të larguar këtë qeveri nga pushteti.

“Marrëveshja e djeshme i ka inkurajuar strukturat e krimit. Ju bëjmë thirrje forcave që e duan të mirën e këtij vendi të bashkohemi e ta largojmë këtë regjim në Kuvend e jashtë Kuvendit". Edhe Visar Ymeri ka paralajmëruar Isa Mustafën se do të ketë punë me Vetëvendosjen. “Do ta luftojmë Isa Mustafën si Kryeministër”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, marrëveshja e mbrëmshme PDK-LDK e ka rilegjitimuar krimin në Kosovë.

Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)


 

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

'Frontline'/ Lita: Influencër të lidhur me Metën e Kryemadhin janë kontrolluar nga BKH! S’justifikojnë shtëpinë! Bregu: Dosja CEZ-DIA e mbyllur

'Frontline'/ Lita: Influencër të lidhur me Metën e Kryemadhin janë kontrolluar nga BKH! S’justifikojnë shtëpinë! Bregu: Dosja CEZ-DIA e mbyllur