Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, thotë se intervista e tij për Euractiv në lidhje me marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë për qendrat e emigrantëve në Gjadër, është keqkuptuar.

Media Euractiv shkruan se sipas ministrit Hoxha, marrëveshja nuk do të zgjasë përtej vitit 2030, pas përfundimit të afatit 5-vjeçar të paktit. Por, kryedeplomati sqaron se kur është pyetur mbi mundësinë e rinovimit përgjigjia e tij ka qenë: “Nuk jam i sigurt, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe”, dhe kjo se “kjo deklaratë nuk duhet në asnjë mënyrë të interpretohet si një ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë në lidhje me protokollin”.

Sipas Hoxhës, përgjigja e tij ka qenë “thjesht për një reflektim të çastit, të shprehur me sinqeritet dhe spontanitet”, që është nxjerrë nga konteksti.

“Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare.

Unë iu përgjigja duke thënë: “Nuk jam i sigurt, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe.”

Ka qenë kaq e thjeshtë. Nuk bëhet fjalë për një vendim, por thjesht për një reflektim të çastit, të shprehur me sinqeritet dhe spontanitet.

Kjo deklaratë nuk duhet në asnjë mënyrë të interpretohet si një ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë në lidhje me protokollin.

Fatkeqësisht, në botën e sotme, zhurma shpesh përhapet më shpejt sesa argumenti, logjika dhe konteksti.

Shprehje të shkëputura nga konteksti shndërrohen shumë shpesh në narrativa që nuk pasqyrojnë as thelbin e diskutimit dhe as qëndrimin real të qeverive”,- shkruan Hoxha në rrjetet sociale.

Sqarimi i ministrit Hoxha është përforcuar edhe nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili akuzon median europiane për citimin e pasaktë të kryediplomatit shqiptar dhe thekson se marrëveshja për qendrat e emigrantëve në Gjadër “do të mbetet në fuqi, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë këtë”.

“Të gjithë gazetarëve nga Italia dhe jo vetëm, që po kontaktojnë lidhur me një citim të pasaktë të publikuar nga një media pas një interviste me ministrin e Jashtëm shqiptar: dua të ritheksoj, qartë dhe shpresoj njëherë e përgjithmonë, se Protokolli ynë me Italinë do të mbetet në fuqi, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë këtë”,- shkruan Rama.