Marrëveshja që i mundëson Italisë të ndërtojë qendra të pranimit në Shqipëri për mijëra emigrantë të shpëtuar në Mesdhe nuk shkel ligjin e Bashkimit Evropian, i cili nuk zbatohet për këtë çështje, tha zyrtarja kryesore e bllokut për migrimin, Ylva Johansson.

“Ligji i BE-së nuk është i zbatueshëm jashtë territorit të BE-së. Por duke pasur parasysh anëtarësimin e Italisë në bllok dhe miratimin e detyrueshëm të legjislacionit të përbashkët, rregullat që do të zbatohen brenda qendrave shqiptare do të jenë efektivisht të natyrës europiane dhe do të imitojnë kuadrin që zbatohet në tokën italiane. Italia është në përputhje me ligjin e BE-së, kështu që kjo do të thotë se këto janë të njëjtat rregulla. Por duke folur ligjërisht, nuk është ligji i BE-së, por është ligji italian që ndjek ligjin e BE-së".-  tha komisionerja për migrim e BE-së, Ylva Johansson, kur u pyet në një konferencë për media në Bruksel lidhur me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë.

Deklaratat e saj sugjerojnë se kjo marrëveshje nuk do të dërgohet për shqyrtim para Gjykatës së Drejtësisë të BE-së.

Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ky është një lajm i mirë për qeverinë e Giorgia Melonit. Sepse, nëse nuk zbatohet e drejta e BE-së për azil, në qendrat shqiptare do të aplikohet vetëm ajo italiane, “duke nisur nga Kushtetuta e cila ka kufij të qartë për të drejtën e azilit”, shpjegon Chiara Favilli për ilfattoquotidiano.it, eksperte në Politikat evropiane të azilit dhe profesorë e së drejtës së BE-së në Universitetin e Firences.

Më 6 nëntor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni, nënshkruan marrëveshje, sipas së cilës, Italia do të dërgojë në Shqipëri emigrantët që shpëton në Detin Mesdhe, ndërsa Italia do të financojë ngritjen e qendrave për pritjen e tyre.

Marrëveshja do të nisë së zbatuari pranverën e vitit të ardhshëm. Sipas protokollit të publikuar nga Qeveria shqiptare, Italia do të depozitojë 16.5 milionë euro në një llogari të posaçme të Thesarit të Shqipërisë, si paradhënie për strehimin e emigrantëve.

Komisionarja e lartë për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviç, ka deklaruar se marrëveshja e arritur mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët rrit shqetësimet për të drejtat e njeriut dhe shton shqetësimet për trendin evropian që përgjegjësitë për azilkërkuesit të dalin jashtë kornizës evropiane.

Po ashtu, marrëveshja është kritikuar nga organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, që e ka quajtur atë si “të jashtëligjshme dhe të pazbatueshme”.