Nga Berlini ku ndodhet për të çelur ekspozitën e tij të re, kryeministri Edi Rama e quajti hap të rëndësishëm për pavarësinë energjitike të vendit marrëveshjen me SHBA dhe Greqinë në vlerën e 6 miliardë dollarëve për furnizimin e Shqipërisë me gaz të lëngshëm për 20 vite.

“Shqipëria do të furnizohet me gazin e lëngshëm amerikan për një periudhë 20 vjeçare dhe përmes TEC-it të Vlorës do të prodhojë energji elektrike, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për portofolin e diversifikuar të sovranitetit të saj energjetik. Bashkë me këtë burim energjie do të rritet ndjeshëm edhe volumi i investimeve të reja, si edhe kapaciteti i Shqipërisë për të ushqyer me energji qendrat kompjuterike të të dhënave apo programet e inteligjencës artificiale, që do të përcaktojnë dekadën e ardhshme.  Vlora do të kthehet kësisoj në një nyje të rëndësishme, qoftë për shfrytëzimin, por qoftë edhe për eksportin e gazit përmes Tap-it”, tha Rama.

Rama komentoi edhe marrëveshjen e kompanisë shtetërore KAYO për ndërtimin e mjeteve detare në Pashaliman.

“Ky nuk është vetëm një investim i ri dhe shumë i konsiderueshëm, por është dhe një front i ri punësimi me rreth 400 vende të reja pune të mirëpaguara në fazën e parë. Një perspektivë konkrete për të rinjtë dhe të rejat, duke filluar nga nxënëset dhe nxënësit e shkollës profesionale industriale të Vlorës, të cilët do të ftohen të bëhen pjesë e programeve të trajnimit për t’u punësuar në kompaninë e përbashkët që lind nga kjo marrëveshje, Fincantieri Albania”, tha Rama.

Kreu i qeverisë thotë se këtë javë do të mbahet në Tiranë në datat 6 dhe 7 maj edhe edhe një aktivitet që pararend Kongresi Botëror i ligjit që të zhvillohet në vitin 2027.  Përtej rëndësisë së vetë këtij evenimenti, Rama thotë se përzgjedhja e Shqipërisë si vend pritës për këtë platformë, lidhet drejtpërdrejtë me një vlerësim të lartë të reformës në drejtësi.