Marrëveshje me Sllovakinë, Bushati:
Shtojmë bashkëpunim e investimet

Marrëveshje me Sllovakinë, Bushati:<br />Shtojmë bashkëpunim e investimet
TIRANE - Shqipëria dhe Sllovakia kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve në kuadër të rritjes së bashkëpunimit dhe investimeve sllovake në vendin tonë. Kjo u bë e ditur gjatë konferencës së përbashkët përbashkët ndërmjet Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe homologut të tij sllovak Miroslav Lajçak.

Në fjalën e tij Ministri Bushati e vlerësoi si një partner mjaft të rëndësishëm Sllovakinë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se eksperienca dhe përvoja sllovake është shumë e vyer për vendin tonë.

Në këtë kuadër, Ministri Bushati nënvizoi se me homologun Lajçak është nënshkruar një protokoll bashkëpunimi mes dy vendeve që parashikon rritjen e takimeve dypalëshe, mes të cilave edhe një vizitë të Kryeministrit Edi Rama në Sllovaki.

“Marrëdhëniet po thellohen në vijimësi përmes programeve të shkëmbimit në fusha të ndryshme. Gjatë takimit, i shpreha falënderimet dhe mirënjohjen në emër të qeverisë për solidaritetin e treguar. Me diskutimet dhe këshillat e vyera që marrim nga miqtë sllovakë sa i përket reformave dhe evidentimeve në këtë proces. Diskutuam edhe sa i përket raportit dypalësh duke theksuar rritjen e bashkëpunimit ekonomik dypalësh. Nuk duam ta fshehim. Do të donim të kishim prezencë të investimeve sllovake. Ne do të donim që këtë eksperiencë të çmuar sllovake ta transferonim në Shqipëri, si kundër edhe në kuadër të sfidave që përballet Shqipëria ka fusha si energjia, infrastruktura, që pavarësisht jo afër gjeografikisht mund të jenë pranë me investime. Finalizuam një protokoll bashkëpunimi mes dy ministrive. Besojmë se ky protokoll bashkëpunimi do të rrisë vizitat ndërmjet dy vendeve, mes të cilave vizitë e kryeministrit Rama në Sllovaki dhe vizitave dhe kontakteve ndërmjet bizneseve sllovake me ato shqiptare, në mënyrë që një pjesë e mirë e punës që ka nisur të konkretizohet jo thjesht me marrëveshje bashkëpunimi por edhe me investime konkrete sllovake.” tha në fjalën e tij Bushati Fjala e plotë e Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati

Bushati: Vishegardi cakton fondin për Ballkanin Perëndimor me seli në Tiranë
Ministri Bushati nënvizoi edhe faktin që me mbështetjen e vendeve të Vishegradit, është vendosur krijimi i fondit për Ballkanin Perëndmor selia e së cilës do të jetë në Tiranë. Po ashtu Bushati u shpreh se me homologun Lajçak është biseduar edhe për Kosovën dhe se në cilën fazë është njohja e shtetit kosovar nga Sllovakia.

“Siç e kemi bërë me dije, u kurorëzua edhe vendimi për krijimin e fondit të Ballkanit Perëndimor, një nismë që selinë do ta ketë në Tiranë. Falënderoj të gjitha vendet e Vishegradit, për mbështetjen dhe durimin e treguar për gjenerimin e një konsensusi ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për të pasur selinë në Tiranë. Diskutuam edhe hapat në mënyrë që selia dhe fondi të bëhet operacional duke pasqyruar frymën e suksesshme të Vishegradit edhe në Ballkanin Perëndimor. Diskutuam edhe për situatën e fundit në rajon, për përpjekjet e përbashkëta në SEECP kryesisht në fushën e sigurisë. Së fundmi por jo më pak e rëndësishme ne patëm mundësi të diskutonim edhe për çështjen e Kosovës. Vlerësojmë hapat e ndërmarra nga qeveria sllovake, një qëndrim fleksibël dhe pragmatik në drejtim të njohjes dhe dokumentacionit të shtetasve kosovarë, dhe hapjes së zyrës së kontaktit, që do të rriste shkëmbimet mes Bratislavës dhe Prishtinës, dhe hapa përpara në drejtim të njohjes së plotë të Kosovës.” përfundoi Ministri Bushati

bushati

Lajçak: Gati të firmosim edhe 3 marrëveshje të tjera bashkëpunimi
Nga ana e tij Ministri i Jashtëm sllovak Lajçak e vlerësoi Shqipërinë si një partner mjaft të rëndëishëm në rajon duke shprehur bindjen se vendi ynë shumë shpejt do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Lajçak shprehu gadishmërinë e Sllovakisë për të dhënë ndihmën dhe eksperiencën e saj në kuadër të procesit integrues të vendit tonë, duke theksuar se vizita e Kryeministrit Rama do t’i japë një shtysë edhe më të madhe bashkëpunimit dypalësh.

Në këtë kontekst Ministri i Jashtëm i Sllovakisë tha se përpos marrëveshjes së bashkëpunimit të firmosur sot, janë edhe tre marrëveshje të tjera që pritet të firmosen mes dy vendeve.

“U fokusuam në marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Sllovakisë, ne jemi dy miq të mirë dhe jemi të lumtur që shohim një frymë bashkëpunimi. Patëm mundësinë të nënshkruanim një marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve dhe kemi edhe 3 marrëveshja të tjera. Ne mirëpresim vizitën e Kryeministrit Rama dhe shpresojmë që kjo vizitë të japë një shtysë edhe më të madhe bashkëpunimit. Sllovakia e mbështet fuqimisht Shqipërinë në BE, dhe mund të ju siguroj se ky është vendimi më i mirë që mund të bëni. Ne jo vetëm po ju mbështesim por edhe po ju asistojmë. Në këtë moment që po flasim ka ekspertë shqiptarë dhe ato sllovakë që po punojnë për përvojën tonë në Bashkimin Evropian dhe ju siguroj që mund të mbështeteni tek ne në diskutimet dypalëshe si dhe diskutimet me partnerët ndërkombëtarë. Por sigurisht puna më e madhe duhet bërë këtu.” tha Lajçak Fjala e plotë Ministrit të Jashtëm sllovak Miroslav Lajçak

bushati

Lajçak: Reformat të vështira por të rëndësishme
Duke vijuar më tej Ministri Lajçak tha se Shqipëria është përpara disa reformave shumë të rëndësishme për fatet e vendit, por njëkohësisht edhe shumë të vështira.Megjithatë ai nënvizoi se përpjekja për të qenë pjesë e BE është e të gjithë shqiptarëve, dhe kjo duhet të qendrojë mbi çdo interes politik.

Për këtë arsye, Miroslav Lajçak tha se rikthimi i opozitës në Kuvend është vendimi i duhur i një shteti demokratik.

“Ju duhet të keni shumë reforma që duhet të përmbyllni, dhe nga përvoja nuk janë të lehta. Por këto përpjekje ja vlejnë dhe do të kenë sjellë mjaft të mira për qytetarët shqiptarë. Por përpjekja për t’u bërë pjesë e BE, është një përpjekje e të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe kjo duhet të qëndrojë mbi çdo interes politik. Ndaj dëshiroj të nxis dhe inkurajoj të gjithë aktorët që të bëjnë të pamundurën që Shqipëria të ecë përpara në rrugën për në BE. Kam mirëpritur edhe rikthimin e opozitës në parlament sepse në demokracitë evropiane parlamenti është vendi ku bëhen debatet. Së fundmi dëshiroj të falënderoj Shqipërinë në bashkëpunimin rajonal. Nga kjo situatë fitojnë të gjithë. Por kemi shumë punë për të bërë sepse besoj se në fund Shqipëria do të jetë një vend anëtar i BE.” u shpreh Ministri i Jashtëm sllovak 

Njohja e Kosovës, Lajçak: Marrëdhënie më të mira se disa vende
I pyetur në lidhje me njohjen e Kosovës, Lajçak u shpreh se pozicioni i Sllovakisë karshi shtetit kosovar nuk është armiqësor. Përkundrazi siç theksoi Lajçak është më miqësor se me disa prej vendeve me të cilat kanë marrëdhënie diplomatike. Megjithatë Lajçak u shpreh se qeveria është e detyruar të respektojë rezolutën e firmosur në parlament.

“Ne jemi një demokraci parlamentare dhe si e tillë qeveria është e detyruar të zbatojë vendimin e parlamentit dhe pozicioni ynë formal në lidhje me Kosovën është i varur nga rezoluta e firmosur në parlament. Kështu që është në dorë të parlamentit që të qëndrojë në pozicionin e saj, por kjo nuk do të thotë se qeveria po qëndron ulur duke mos bërë asgjë. Pozicioni ynë nacional në lidhje me Kosovën nuk është armiqësor, por përkundrazi, guxoj të them se bashkëpunimi ynë me Kosovën është më shumë substancial dhe aktiv sesa me disa vende me të cilat kemi marrëdhënie diplomatike.” tha ai

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

Ministri Hoxha: Protesta e opozitës e dhunshme, policia reagoi konfrom ligjit! 3 policë ende të Trauma

Ministri Hoxha: Protesta e opozitës e dhunshme, policia reagoi konfrom ligjit! 3 policë ende të Trauma