Institucionet e drejtësisë do të përdorin tani e tutje të njëjtën metodologji në mbledhjen, përpunimin dhe raportimin e të dhënave. Ky ishte thelbi i marrëveshjes i nënshkruar këtë të hënë me nismën e Ministrisë së Drejtësisë.
Statistikat e besueshme janë për ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato të një rëndësie jo të vogël për të identifikuar problematikat dhe për të ndërtuar politika efektive.
“Bashkëpunimi duhet të mbështetet te zgjedhjet e përbashkëta dhe krahasimi i të dhënave dhe shqetësimeve. Aftësia për të identifikuar hendeqet dhe për të zhvilluar zgjidhje efektive ndaj sfidave sistematike varet thellësisht te disponueshmëria e statistikave të besueshme gjyqësore”, tha mes të tjerash Gonzato.
Sipas Gonzatos, kërkohet angazhim i plotë institucional në tre drejtime kryesore: mbledhjen, publikimin dhe përdorimin e të dhënave.
“Çdo planifikim i ndërmarrë pa bërë analizat e duhura sa i përket statistikave mbetet vetëm një përpjekje teorike dhe që nuk prodhon një ndikim real. Për këtë arsye është e rëndësishme të analizohen të dhënat, të zhvillohen ato dhe të zbatohen politika”, tha Silvio Gonzato, ambasador i BE-së në Shqipëri.
Nga ana e tij, Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, pranoi se aktualisht mungon një sistem i unifikuar i statistikave, pasi institucionet prodhojnë dhe interpretojnë të dhëna të ndryshme.
“Sot adresojmë një problem real të sistemit dhe nuk kemi një të vërtetë të vetme të të dhënave që prodhon sistemi. Kemi disa të vërteta dhe duam t’i adresojmë në një të përbashkët”, tha ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, theksoi rëndësinë e digjitalizimit të sistemit të drejtësisë si një kusht i domosdoshëm për menaxhimin e saktë të të dhënave.
Nga ana tjetër, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, vuri në dukje se aktualisht mungon infrastruktura e nevojshme për të realizuar plotësisht këtë proces digjitalizimi.
Marrëveshja konsiderohet një hap i rëndësishëm edhe në procesin e integrimit europian dhe në përmirësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë.
Komente











