Komisioneri Europian për Mbrojtjen dhe Hapësirën, Andrius Kubilius, ka paralajmëruar se përvetësimi i Groenlandës me forcë nga Shtetet e Bashkuara do të sillte fundin e NATO-s dhe pasoja të rënda për sigurinë euroatlantike.
Gjatë një konference sigurie në Suedi, Kubilius u shpreh se Bashkimi Europian ka një detyrim ligjor për të mbështetur Danimarkën nëse ajo përballet me agresion ushtarak. Ai iu referua nenit 42.7 të Traktatit të BE-së, i cili parashikon ndihmë të ndërsjellë mes vendeve anëtare.
Deklarata vjen pas qëndrimeve të përsëritura të ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka thënë se SHBA duhet të “zotërojë” Groenlandën për arsye strategjike, duke argumentuar se prania aktuale ushtarake amerikane nuk është e mjaftueshme për të penguar ndikimin e Rusisë apo Kinës në territorin arktik, të pasur me minerale dhe me rëndësi gjeopolitike.
Groenlanda është një territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarka. Si qeveria daneze ashtu edhe autoritetet e Groenlandës kanë deklaruar se territori nuk është në shitje. Megjithatë, Trump nuk ka përjashtuar publikisht mundësinë e përdorimit të forcës.
Kubilius theksoi se një skenar i tillë do të kishte ndikim negativ jo vetëm në marrëdhëniet mes aleatëve, por edhe në opinionin publik europian. Ai shtoi se reagimi i BE-së do të varet edhe nga qëndrimi zyrtar i Danimarkës, por detyrimi për ndihmë të ndërsjellë ekziston në rast agresioni ndaj një shteti anëtar.
Komente








