TIRANË- Në ndryshim nga protestat e kaluara, ditën e sotme, Sali Berisha ka zgjedhur që të bëjë një ndalese në disa prej institucioneve në vend, të cilat i ka konsideruar si institucione të krimit. Në një kohë që aleati i tij, Ilir Meta iku në seli, Berisha u ndal të Ministria e Brendshme, Bashkia e Tiranës dhe Selia e Partisë Socialiste. Nga ministria e Brendshme, Berisha kërkoi dorëheqjen e ministrit Bledi Çuçi.  

“Erdhëm këtu për t’i dhënë një mesazh ministrit të familjes Çuçi, që është anëtar i organizatës kriminale të Ramës, se ai duhet të japë urgjentisht dorëheqjen. Ky marshim është paqësor, por ky ka objektivat e tij taktike dhe strategjike. Do t’i mësoni në ditët në vazhdim. Ditën e hënë revolucioni është përpara parlamentit,” tha Berisha.

Në Bashki padyshim ai sulmoi Erion Veliajn si  ku e cilësoi si “hajdut që e ka vendin në burg”

“Njeriu që ka uzurpuar këtë zyrë të nderuar të qytetarëve shqiptarë, është një nga hajdutët më të shpifur, më të patolerueshëm që ka pasur qyteti ndonjëherë. Ne erdhëm këtu për të dhënë mesazhin tonë. Ky njeri ka shndërruar fushën e Sharrës në minierë floriri për veten dhe familjen e tyre. Erdhëm këtu për t’i dhënë mesazhin: revolucioni do flasë me të!” tha Berisha.

Ndërsa në selinë e PS-së pati një mesazh të socialistët.

“Kam ardhur së pari për një mesazh miqësor për të gjithë socialistët e ndershëm shqiptarë. Kam ardhur për t’u thënë se kjo ndërtesë është shndërruar në simbolin e të keqes nga një grup kriminal i kryesuar nga Edi Rama,” tha ai.

Mirëpo, në këtë “pelegrinazh” të tij, ishte dhe ndalesa që bëri në Bunk’Art. Cili ishte mesazhi që donte të përcillte?