Qytetarë të shumtë nga Prizreni janë nisur drejt Prishtinës për t’iu bashkuar marshimit, e cila zhvillohet pak ditë para 16 shtatorit, datë kur pritet të shpallet vendimi përfundimtar në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Pjesëmarrësit thanë se udhëtimin drejt Prishtinës e shohin si një shprehje të mbështetjes dhe solidaritetit me ish-krerët e UÇK-së, ndërsa theksuan rëndësinë që, sipas tyre, ka vendimi që pritet të merret më 16 shtator.

Ata u shprehën të emocionuar përpara nisjes, duke thënë se presin që procesi të përfundojë me një vendim të drejtë dhe që drejtësia të vihet në vend.

“Ndiej emocione sepse është festë mbarëkombëtare. Presim me gëzim lirimin e krerëve të UÇK-së nga Haga. Data 16 është kulmi i manifestimit sepse ata do të lirohen, do të vijnë, janë të pafajshëm.”

“Prizreni është mobilizuar dhe kemi mbi 15 autobusë. Presim që vendimi të jetë përfundimtar dhe liderët të lirohen nga një gjykim i padrejtë.”

“Është marsh, mesazh që tregon se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e shenjtë, për liri”, thonë pjesëmarrësit.

Protesta në Prishtinë pritet të mbledhë qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, të cilët do të shprehin mbështetjen e tyre në prag të vendimit përfundimtar ndaj krerëve të UÇK-së.


Lajmi kryesor:

‘Kosova po pret’, nis ‘Marshi për Liri’ në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Prishtina 'vishet' me flamuj e emblema