Marsid Gurakuqi Djali që
u kthye në “kristale” poezie

Marsid Gurakuqi Djali që<br />u kthye në “kristale” poezie
Nuk e kisha menduar ndonjëherë që do të shkruaja një libër me poezi. Ngjarjet e mëdha që shkaktojnë tronditje të mëdha shpirtërore, dashuritë e mëdha të humbura papritur mund ta bëjnë edhe një regjisor, poet apo shkrimtar”, shkruan regjisori Nikolin Gurakuqi në parathënien e librit me poezi “Stinët e dhimbjes time” që e ka promovuar dje si një homazh për humbjen papritur të birit të tij 26-vjeçar Marsid Gurakuqi. Promovimi u bë me një program të pasur muzikor, dhe u shoqërua me recitimin e poezive. Humbja e Marsidit, pinjollit të derës fisnike dhe patriote të Gurakuqëve, është nderuar dje nga poetë e shkrimtarë ku kanë folur shkrimtari Bahri Myftari, Albert Xholi, Pandeli Koçi, etj. Ndërsa pas recitimeve dhe fjalimeve të thjeshta e plot dashuri, janë kënduar opereta nga Armando Likaj, pastaj foli dhe këndoi edhe tenori i shquar Agim Hushi, etj. Tingujt magjikë të pianos, recitimet nga aktori Indrit Çobani sollën një atmosferë mallëngjyese në këtë spektakël që shpreh luftën e njeriut me fatkeqësitë dhe dhimbjen.

Që nga 19 marsi i vitit 2012, kur mori vesh humbjen e papritur të të birit student në Itali, për regjisorin Nikolin Gurakuqi kanë qenë muaj helmi dhe skëterre. Si baba, si artist, si njeri ka dashur të ngrihet mbi dhimbjen që e stërmundonte, dhe kjo nuk ishte e lehtë. Ndaj dita-ditës hidhte në fletë letre ndjenjat që e përvëlonin shpirtin e tij. Dhe përmes këtyre poezive ai mundi t’u vinte pak balsam plagëve. Djali, Marsidi, ende i çon mesazhe, i jep forcë të jetojë. Dhe çuditërisht këto mesazhe janë kthyer në “kristale” poezie, duke e bërë Nikolinin poet, jo vetëm se i këndon dhimbjes, jo vetëm se i dedikohet elegjive, por se poezitë e tij shkojnë shumë më përtej, futen në shtratin e një arti të kulluar, të pastër poetik. Poeziët e dhimbjes bëhen muzikë, kthehen ne mesazhe, në filozofi.

Nikolin Gurakuqi u shpreh dje se “Dhimbja është mes nesh, ne nuk mund ta largojmë atë, por ne do të përpiqemi ta mundim”. Gjithë këtë ringritje shpirtërore nga dhimbja, nga plagët që mori pas vdekjes së të birit,  regjisori ia dedikon sërish atij Marsid Gurakuqit, sepse tashmë në jetën e tij ka filluar të inteferojë, kultura, mençuria dhe pastërtia shpirtërore e të riut 26-vjeçar. “Humbja e papritur e tim biri. Marsidit, në moshën 26-vjeçare më shkaktoi një tronditje të jashtëzakonshme të qenies sime, dhe për muaj të tërë përjetova emocione të patreguara, që filluan të shpreheshin artistikisht në formë vargjesh, derisa vendosa të shkruaj një libër me poezi, dedikuar jetës së tim biri. Kështu nis rrugëtimi i tij përmes këtij libri që është dëshmitari më i mirë i dashurisë sime për këtë djalë të rrallë për nga inteligjenca e formimi intelektual, që pas diplomimit në Universitetin e Perugias në Itali do të punonte si pedagog në Universitetin Viktory në Prishtinë.

Në këtë libër vërehet qartë “rënia në humnerë e gjithë familjes time, dhimbja e papërballueshme e humbjes, por edhe ngritja e ngadalshme, e dalja pak nga pak prej humnerës ku ramë”. Me këtë motiv daljeje nga humnera, libri i Nikolin Gurakuqit është ngjizur duke e bërë tashmë poet, sepse siç pohoi dje regjisori do të  sjellë në dritë edhe një libër tjetër poetik, por herës tjetër “një libër që me poezi që kanë fituar mbi dhimbjen për ikjen e beftë e pa asnjë shkak të intelektualit të ri Marsid Gurakuqi: Nga libri i Nikolin Gurakuqit po zgjedhin për botim njërën prej poezive të librit “Stinët e dhimbjes time”, që titullohet “Si kristali u theve”.
 
“Gjithnjë të kam fshehur,
Nga erërat e kohërave,
Brenda hapësirave të mija
Pa hapësirë kohore,
Se ti ishe prej kristali
Prej kristali e kishe buzëqeshjen
Prej kristali e kishe edhe revoltën
Edhe pranverën të kristaltë e kishe.
Prandaj dhe jeta jote u thye si kristali
Edhe se të fsheha nga erërat e kohërave
E nëna thërriste mos ma prekni djalin
Ajo në duar na u thye
E s’e pyeti djalë-kristalin”
 
  
Shkrimi u publikua sot (17.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Iran, zhduket presidenti Efraim Raisi, Gjysmëhëna e Kuqe ka dërguar 40 ekipe për kërkimet

Iran, zhduket presidenti Efraim Raisi, Gjysmëhëna e Kuqe ka dërguar 40 ekipe për kërkimet