TIRANE- Policia nis hetimet për të zbardhur vdekjen e dy minatorëve në galerinë D në Martanesh. Dyshohet se shpërthimi i një mine ka shkëputur masive gurësh që i morrën jetën minatorëve.

Vetëm një ditë pas ngjarjes së rëndë ku dy minatorë humbën jetën, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Janë shoqëruar 10 persona për tu marrë në pyetje, mes tyre administratorë, inxhinierë, teknikë dhe brigadierë të minierës. Këta persona dhanë detaje për kushtet e punës, në të cilat punonin minatorët Ermal Elezi 25 vjeç dhe Vebi Stafa 58 vjeç. Grupi hetimorë i ngritur nga prokurporia e Dibrës si dhe Drejtorisë së policisë së këtij Qarku, kanë arritur në përfundimin se dy minatorët kanë vdekur aksidetalishtë dhe faji për humbjen e jetës ka qenë i tyre. Minatorët mësohet se po punonin në vendin e quajtur Zona e Re, në minierën e Martaneshit, kur një masiv gurësh i ka zënë poshtë. Minatori Vebi Stafa, 58 vjeç, ka vdekur pa mbërritur ende në Spitalin e Burrelit, ndërsa 25-vjeçari Ermal Elezi mbërriti në spital me plagë të rënda por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetonte. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:30 në Zonën e Re, Krastë-Martanesh, në minierën 1360, në thellësinë 800 metra, nivel horizontal.

VENDOSJA E MINES

Burime të besueshme informacioni sqarojnë se Vebi Stafa, 58 vjeç dhe Ermal Elezi, 25 vjeç kanë hyrë në galerinë e kromit për të realizuar shpërthimin e radhës në frontin e punës. Në këtë mënyrë kryhej avancimi i galerisë në thellësi për të krijuar kushte pune për turnin e parë të ditës së nesërme. Dyshohet se ata kanë vendosur një minë, e cila do të shpërthente galerinë duke krijuar një hapësirë të re. Sipas skemës së krimit të hartura nga policia plasja e minës ka shkëputur disa masive shkëmborë, që kanë rrezikuar jetën e dy minatorëve. Tymi i krijuar nga shpërthimi ka qenë një element që ka penguar dy minatorët të largoheshin me shpejtësi nga galeria D, ku po punonin. Trupat e dy minatorëve janë nxjerrë me shpejtësi nga galeria nga kolegë të tyre, që kanë dëgjuar zhurmën e shpërthimit. Menjëherë është njoftuar urgjenca, e cila transportoi për në spital dy minatorët. Vebi Stafa humbi jetën gjatë rrugës për në spital, ndërsa 25-vjeçari kishte marrë goditje të forta në kokë. Ndonëse ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve, ai nuk arriti të shpëtojë duke humbur jetën pak minuta më vonë në spital. Raste të shumta të aksidenteve në punë janë shënuar në galeritë e minierave, që në të shumtën e rasteve kanë marrë jetë minatorësh, ndërsa askush nuk ka mbajtur përgjegjësinë për këtë. Një aksident i ngjashëm ndodhi më 30 gusht në minierën e Martaneshit, ku minatori Murat Kaceli humbi jetën, ndërsa Abdullah Hoti u plagos rëndë, pasi u zunë poshtë nga një masiv dheu ndërsa po punonin në galeri.

(Shkrimi u publikua sot ne gazten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)