TIRANE, 8 tetor /ATSH/. - Ministria e Arsimit dhe Sportit ka hedhur poshte akuzat e Partise Demokratike, se ajo po bën një përndjekje masive ndaj mësuesve profesionistë, për t'i detyruar të lënë punën, që të zëvendësohen nga të rinj.
Keshilltari per Median dhe Komunikimin ne MAS, Gjergji Hamit, ka bere te ditur sot se  sipas urdhërit të fundit të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, grupet e punës po zhvillojnë inspektime në gjithë shkollat e vendit për të identifikuar të gjithë mësuesit që japin mësim jashtë profilit të tyre si dhe ata që nuk kanë kualifikimin e duhur.
 MAS po zbaton ligjin "Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë" me qëllim për të vendosur rregull në kaosin e lënë nga qeveria e mëparshme deri më sot në arsimin shqiptar, me mësues të emëruar në kundërshtim me ligjin.
 Ai theksoi se pas identifikimit që do të bëjnë grupet e inspektimit, procesi do të vijojë me sistemimin e mësuesve sipas profilit për të cilin janë kualifikuar. Nxënësit janë dhe do të vazhdojnë të jenë prioritet i MAS dhe qeverisë shqiptare, ndaj nuk do të lejohet të ketë mësues që japin mësim jashtë profilit, në asnjë shkollë të Shqipërisë.
 I gjithë ky proces ka vetëm një qëllim, sistemimin sipas ligjit të arsimtarëve dhe  ngritjen në nivel më të lartë të cilësisë së arsimimit për nxënësit. Ky është inspektimi i parë që po bëhet për cilësinë e mësuesve në çdo shkollë të vendit, përfundimet e të cilit do të bëhen publike në ditët në vijim.
 Qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për të vendosur rregull në gjithë sistemin e arsimit shqiptar. MAS do të vazhdojë reformat për një arsimim cilësor të nxënësve dhe studentëve, theksoi ai./a.r//a.ke/