Krahas rrugëve nacionale dhe kombëtare që përshkojnë Lezhën, aksidentet rrugore nuk kanë munguar as në qytet, ku në pjesën më të madhe të rasteve ka qenë pakujdesia e këmbësoreve të cilët ndërpresin rrugën jashtë vijave të bardha të përcaktuara për kalimin e tyre.

Kjo situatë e krijuar ka vënë në lëvizje Bashkinë e Lezhës e cila po izolon trotuaret me kangjella. Puna ka nisur me segmentet me problematike në qendër të qytetit dhe pranë shkollave,  ku rruga ndërpritet vazhdimisht nga këmbësoret për të vijuar më pas në të gjithë qytetin.

Nënkryetari i Bashkisë Lezhë Ermal Pacaj thotë se nuk do të lejohet asnjë biznes që të hapë rrugë kalimi.

Pavarësisht përmirësimit të sinjalistikës rrugore, respektimi i saj mbetet problem në qytetin e Lezhës, pasi vetë këmbësoret dhe drejtuesit e mjeteve bëhen shkak i trafikut të rënduar.