Bashkia e Pogradecit ka reaguar pas denoncimit të operatorit turistik Dritan Hoxha, i cili pretendoi se janë dhënë leje për 3 beach-bare në plazhin publik, që deri vitin e kaluar ishte pa pagesë për qytetarët. Hoxha theksoi se këtë vit është ulur sipërfaqja e plazheve publike.
Përmes reagimit publik, Bashkia e Pogradecit ka nënvizuar se nuk ka ndryshime nga viti i kaluar, në sipërfaqet e plazheve publike, duke i quajtur të pavërteta denoncimet e operatorit turistik.
Bashkia Pogradec shkon edhe më tej, duke theksuar se gjatë 4 viteve të fundit është punuar vazhdimisht për rritjen e sipërfaqeve publike në dispozicion të qytetarëve dhe pushuesve.
Sipas Bashkisë Pogradec, vetëm në segmentin e plazhit ranor nga Hotel Enkelana deri tek banjat publike, janë parashikuar gjithsej pesë hapësira publike.
Teksa përmend edhe 4 plazhe, që sipas tyre janë publike dhe tërësisht falas për qytetarët, Bashkia Pogradec thekson se kanë qenë ndër bashkitë e para që ka ofruar çadra falas në plazhet publike dhe ka krijuar infrastrukturë të dedikuar për personat me aftësi të kufizuara.
"Lidhur me një lajm dhe deklaratat e bëra në media nga një subjekt biznesi, sipas të cilave Bashkia Pogradec nuk ka lënë hapësira për plazhe publike në vijën ranore liqenore dhe se këto hapësira po i jepen privatit, Bashkia Pogradec sqaron opinionin publik se këto pretendime nuk janë të vërteta.
Nuk është aspak e saktë që hapësirat e plazhit publik janë cunguar apo tjetërsuar për të favorizuar subjektet private. Përkundrazi, Bashkia Pogradec ka punuar vazhdimisht, veçanërisht gjatë katër viteve të fundit, për rritjen e sipërfaqeve publike në dispozicion të qytetarëve dhe pushuesve", thuhet mes të tjerash në reagimin e Bashkisë së Pogradecit.
Lajmi kryesor:
‘Mbroni Pogradecin, po bëhet masakër’, operaratori turistik denoncon: Leje për 3 beach-bare në plazh publik! Zaptim dhe në Vlorë, sekuestrohen çadrat








