Sot shënohet 15-vjetori i masakrës së 21 janarit të vitit 2011, kur 4 qytetarë u vranë nga shteti teksa protestonin kundër Sali Berishës, asokohe kryeministër i vendit, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Në një analizë dhe rrëfim kronologjik të hapave hetimorë që ndoqi për zbardhjen e rrethanave të 4 vrasjeve, ish-prokurori Ervin Karanxha u rikthye në vendin e ngjarjes pas 15 vitesh për të ilustruar në mënyre demostrative për emisionin “Repolitix” zbulimet e tij të para mbi çështjen.

Fillimisht ai theksoi se shanset ishin që numri i viktimave të ishte më i lartë, por masakra përfundoi me 4 të vrarë. Këtë tezë e mbështet mbi faktin që gardhi metalik i Kryeministrisë ishte shumë i dëmtuar nga të shtënat e Gardës së Republikës.

“Është humbja e jetës së katër personave dhe rrezikimi i jetës së shumë personave të tjerë, ku pjesëmarrja ka qenë e lartë, mund të kishin ardhur dhe pasoja të tjera Gardhi metalik ka qenë shumë i dëmtuar, që do të thotë që është qëlluar shumë në drejtim të turmës. Pra ka pasur shumë persona të pranishëm, kanë ardhur 4 pasoja fatale, por është rrezikuar jeta e shumë të tjerëve”,- tha Karanxha.

Për herë të parë për publikun, ish-prokurori zbuloi se në vendin e ngjarjes janë gjetur të paktën 117 gëzhoja të kalibrit 9 mm, të cilat janë provuar shkencërisht se i përkisnin armëve të Gardës.

“Vrasja e protestuesve, plagosje e disa të tjerëve, janë bërë me armë të kalibrit 9 mm, që janë armë të Gardës. Në vendin e ngjarjes kemi ardhur menjëherë pas ngjarjes. Në momentet e para kemi bërë veprimet hetimore, është konstatuar gardhi metalik që kishte shenja predhash, janë gjetur 117 gëzhoja. Mund të ketë më shumë. Është një numër i madh”,- tha Karanxha.

“Janë qëlluar nga armët e Gardës, është e provuar shkencërisht. Janë përcaktuar në mënyrë të saktë sa ka qëlluar njëri, sa ka qëlluar tjetri”,- theksoi ai.

Ish-prokurori i çështjes deklaron me bindje se pavarësisht sendeve të forta, protestuesit nuk kanë qenë të pajisur me armë zjarri, të asnjë lloji

“Nga hetimi i protestuesve, në vendin e ngjarjes dhe tërësia e veprimeve hetimore rezulton se nga ana e protestuesve nuk ka pasur asnjë lloj arme zjarri. Këtë e jap me kompetencë sepse kam qenë vetë, jam marrë me protestuesit, ka qenë grupi i prokurorëve që është marrë më shumë se 1 vit me protestuesit”,- tha Karanxha.

Karanxha kritikon 2 mjekët e përgjithshëm të cilët asokohe deklaruan që protestuesit janë qëlluar nga afër, duke sqaruar se në një konkluzion të tillë mund të dalë vetëm mjeku ligjor, i cili është i specializuar për zbulimin e një rrethane të tillë. Ish-prokurori theksoi se 2 mjekët që bënë një deklaratë të tillë, totalisht jashtë kompetencës dhe profilit të tyre mjekësor, duhet të merren në pyetje nga drejtësia.

“Kur kam shkuar unë në spital ka pasur edhe shumë punonjës policie të plagosur, pra ishte kaos. Mjeku ka bërë një deklaratë publike, 2 mjekë, të cilët nuk janë pyetur se nga kanë arritur në këto konkluzione. Janë konkluzione të cilat drejtimin e qitjes, mjetin e shkaktimit të vdekjes dhe të gjitha rrethanat dhe shkaqet e vdekjes i përcakton mjeku ligjor dhe jo mjeku i përgjithshëm. Edhe për të përcaktuar distancën e qitjes shikohen mbetjet e barutit, sepse kur është afër ka mbetje baruti nga arma më shumë dhe ajo e përcakton nëse është afër ose larg. Duhet eksperti kriminalist, eksperti mjeko-ligjor ka qëllim tjetër. Janë të ndërthurura. Mjeku i përgjithshëm shikon funksionimin e organeve jetësore. Pra janë punë të ndara”,- tha Karanxha.