TIRANË- 15 vite më parë nipi iu vra në Bulevard nga plumbat që u derdhën nga godina e Kryeministrisë. Mark Nika endet akoma në dyert e drejtësisë me shpresën që urdhëruesit e vrasjes së nipit të tij të marrin ndëshkimin e merituar. Në një intervistë për Report Tv, me dhimbjen për humbjen e nipit, por edhe me peshën e rëndë që mban mbi supe për shkak të zvarritjes së çështjes ndër vite, thotë se familja e tij kurrë nuk e humbi shpresën tek drejtësia dhe tani sytë i kanë nga SPAK dhe GJKKO për dënimin e ‘organizatës kriminale’ nën drejtimin e Sali Berishës, siç ai e cilësoi.
Në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, Mark Nika bën përgjegjës të vrasjeve ish-kryeministrin e asaj kohe, Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha si edhe komandantin e Gardës, Ndrea Prendi i cili audio kasetën e 21 janarit dëgjohet teksa jep urdhër që të qëllohet drejt protestuesve.
“21 janari është krim shtetëror, ky është vendim i Strasburgut. Në fillim drejtësia në Shqipëri nuk funksionoi, bëri aleancë me politikën. Ne nuk e humbëm shpresën, nuk u dorëzuam, shkuam në Strasburg dhe fituam. Tani çështjen e heton SPAK, së shpejti ajo do të dalë me vendim për ta dërguar çështjen për gjykim. Para drejtësisë do dalin urdhëruesit, ekzekutorët e këtij krimi të tmerrshëm. Ne kemi kërkuar nga SPAK të hetohet Berisha, Basha dhe komandanti i gardës.
Ky 21 janar, i përket gjithë Shqipërisë dhe nuk duhet të përkujtohet vetëm më 21 janar, por deri atëherë kur të vihet drejtësia në vend. Ne kërkojmë që politika të heshtë, të mos bëhet strehë e personave që kanë qenë aktivë kundër protestuesve, sepse kjo do të dëmtojë hetimin indirekt”, tha Mark Nika për Report Tv.
Edhe për Mark Nikën, në Shqipëri s’do të ketë drejtësi pa u ndëshkuar fajtorët politikë të masakrës shtetërore që i mori jetën 4 protestuesve në Bulevard.
Nertil Agalliu: SPAK ka thirrur Berishën dhe Bashën?
Mark Nika: Kjo tregon se SPAK po heton me shpejtësi, na jep shpresë kur thirret Berisha dhe Basha do të thotë që hetimet janë në rrugë të mbarë. Prokuroria e Tiranës ka heshtur dhe s’ka kryer asnjë veprim, madje ka masakruar dosjen hetimore duke fshehur provat, sepse kishte aleancë mes politikës, drejtësisë dhe policisë së kohës. Kanë fshirë provat, kanë fshehur gjurmët. Nuk është e lehtë as për SPAK, sepse duhet të rindërtohet vendi i ngjarjes, me eksperimente hetimore, që të jetë sa më i plotë hetimi, që para gjykatës në të citojmë që vrasësit të dënohen. Pa një drejtësi për 21 janarin s’do ketë as qetësi dhe as drejtësi në Shqipëri.
Xhaxhai i Aleks Nikës kujton të gjitha përpjekjet e qeverisë së asaj kohe, me Sali Berishën, për të prishur e manipuluar provat. Por, ai thekson se në duar kanë audio kasetën përmes së cilës kuptohet qartë se kishte një urdhër për të qëlluar mbi protestuesit. Audio kastën e cilëson “mbretëreshën e provave” që sipas tij asnjë dëshmitar nuk mund ta rrëzojë.
Mark Nika akuzon Sali Berishën se kishte krijuar një organizatë kriminale për të mbajtur pushtetin me dhunë dhe thekson se qëllimin e tij e realizoi duke vrarë, duke masakruar provat e duke fshehur gjurmët. Xhaxhai i Aleks Nikës thotë se vrasjet e 21 janarit nuk ishin aksidentale, por kishte urdhër për vrasje dhe për të qëlluar drejt protestuesve.
“Ne kemi mbretëreshën e provave, audio përgjimi që është bërë në kanalin e radios së drejtorit të gardës. Aty del qartë se është zëri i Ndrea Prendit që ka urdhëruar të qëllohen në mish protestuesit dhe s’ka dëshmitarë në botë që e rrëzon si provë kryesore. Është urdhëruar për të vrarë, nuk është vrasje aksidentale sikur donte ta paraqiste në fillim qeveria e kohës. Qeveria ka marrë pjesë në manipulimin e çështjes, duke fshehur provat, plumbin që i është gjetur në kokë Aleks Nikës është prishur me limë. Ka qenë një organizatë kriminale me vra, me prish provat, me fsheh gjurmët që të mbajnë pushtetin dhe këtë e bëjnë vetëm organizata kriminale për të mbajt pushtetin me dhunë”, tha Nika për Report Tv.
Politikës i kërkon që të qëndrojë larg kësaj çështje, duke theksuar se duan vetëm drejtësi dhe jo mëshirë. Mark Nika i bën thirrje SPAK që vrasësit t’i dërgojë në gjyq, duke theksuar se personi kryesor që duhet të ndëshkohet është ai që ka dhënë urdhrin për të qëlluar dhe më pas zbatuesit.
“Ne kërkojmë vetëm drejtësi, asnjëherë mëshirë, vrasësit duhet të shkojë në gjyq. Ne nuk i falim vrasësit. Kryesor është urdhëruesi, zbatuesi është ekzekutori. Grusht shtet i me duar në xhepa nuk bëhet, janë sajime të Berishës”, theksoi Mark Nika.
Me besimin se SPAK dhe GJKKO do të vënë në vend drejtësinë, Mark Nika i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme që të përshpejtojë hetimet për krimin shtetëror të 21 janarit.
Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika ka përfunduar takimin me prokurorin e çështjes së 21 janarit në SPAK Alfred Shehu. Për mediat Mark Nika nuk dha detaje, por shprehu besimin e plotë të SPAK për zbardhjen e ngjarjes dhe dënimin e fajtorëve.
Nika tha se përgjegjësi kryesor është kryeministri i kohës Sali Berisha, duke përmendur dhe ministrin e Brendshëm Lulzim Basha. Ndër të tjera ai tha se vënia në vend e drejtësisë, nuk është përgjegjësi e Edi Ramës dhe mazhorancës.
“Drejtsinë e kemi kërkuar nga drejtësia e re nga SPAK. Nuk është përgjegjësia e mazhorancës, nuk kemi as komunikim për këtë punë. Nuk kam kërkuar kurrë nga Rama për drejtësi, drejtësinë e dua nga SPAK. Këtë kërkova dhe unë pse po vonohet. Prokurori i çështjes më tha që janë veprime që duhet të ristaurohet dosja e vjetër. Hollësira nuk më dha prokurori, ai do të zbatojë procedurat kaq mund të më thoshte ai mua.
Në kuptimin e ekzekutimit të tij ai që e ka ekzekutuar. Në planin politik dihet është Partia Demokratike, Berisha. Ai ka qenë kryeministër, ministër i brendshëm ka qenë Lulzim Basha. Po të jenë trima le të thonë e kemi bërë ne. Ata e fshehin, pse e fshehin kur nuk ke faj? Pse ik Pse fshihesh. pse bën manipulimin e provave? Ndërsa prokurori i çështjes po heton m me kompetencë procedurat. Kanë frikë edhe dëshmitarët. Kanë presion nga ata që e kanë bërë krimin”, tha ai.
Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika pas zhvillimit të homazheve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për viktimat e 21 jananit, ka mbërritur në SPAK ku ka kërkuar takim me prokurorin e çështjes Alfred Shehu për tu informuar mbi hecurinë e hetimeve.
Nika u shpreh se zëri në audion e dorëzuar prej tij në SPAK dhe e dërguar për ekspertizë jashtë vendi, është identifikuar, por nuk jep më tepër detaje.
“Do të takoj prokurorin për ta pyetur për ecurinë e hetimeve, jemi palë në procesin hetimor dhe janë të detyruar të na japin shpjegime. Nuk kemi informacion deri tani. Janë bërë ekspertimet, zëri është identifikuar i kujt është, janë sekrete hetimore. Kam kërkuar unë takim”, tha Mark Nika.
Komente










