Sipas vendimit të Apelit për 3 të pandehurit e kësaj dosje “mungojnë faktet dhe provat”. Kanë qënë pikërisht këto fakte të paraqitura nga Prokuroria që cuan në vendimin për burgim të përjetshëm për Meti Bozin nga Gjykata e Shkallës së Parë, por cuditërisht apeli I ka rrëzuar të gjitha, duke lënë të lirë personin që akuzohet si organizator I masakrës së Cërrikut.
Ndërkaq për 6 anëtarët e tjerë të kësaj bandë Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Shkalla e parë e Gjyqësorit për Krimet e Rënda. 9 anëtarët e bandës së Cerrikut akuzonen për ngjarjen e ndodhur më 23 mars të vitit 1997 në Cerrik, ku mbetën të vrarë me armë zjarri, 6 punonjës të Gardës së Republikës si dhe u plagosën 9 punonjës të Policisë së Shtetit.
MINISTRIA E DREJTESISE NIS INSPEKTIMIN
Ministria e Drejtësisë ka nisur inspektimin në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, menjëhërë pas vendimit të saj për lirimin e 3 anëtarëve të bandës së Cërrikut. Inspektimi ka nisur me sekuestrimin e dosjes nga Gjykata e Apelit, pas vendimi të marrë nga trupi gjykues me kryesues gjyqtarin Amarildo Laci. Pritet që inspektorët e ministrisë së Drejtësisë të studiojnë dosjen gjyqësore të sekuestruar e më pas të dilet me një vendim.
Reagimi i ministrisë së Drejtësisë erdhi vetëm pak orë pas lirimit të 3 anëtarëve të bandës së Cërrikut, Mehmet Bozi, Llazar Bicja dhe Skëndër Cani. Bozi ishte dënuar me burgim të përjetshëm ndërsa Bicja dhe Cani përkatësisht 21 dhe 20 vjet heqje lirie.
VENDIMI I GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË
Më 20 dhjetor të vitit që shkoi Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda vendosi për 9 anëtarët e ‘Bandës së Cërrikut’ tre burgime të përjetshme dhe 118 vite heqje lirie. Sipas gjykatës 3 të dënuarit me burg përjetë Meti Bozi, Arjan Toska dhe Roland Xhepaxhiu kanë qënë organizatorët e masakrës së 23 marsit të vitit 1997. Ndërsa, gjashtë të pandehurit e tjerë Llazar Bicja, Tomorr Buzani, Alban Toska, Skënder Cano, Entel Gashi dhe i penduari Bujar Buzani u dënuan në total me 118 vite heqje lirie.
Sipas vendimit të Gjykatës së shkallës së parë nga hetimi gjyqësor, është provuar se me datën 22 Maj 1997 është sulmuar me armë zjarri nga disa shtetas Posta e Policisë në Cërrik, nga ku janë larguar me forcë punonjësit e policisë. Të nesërmen, më 23 Maj 1997 forca të policisë së Komisariatit Elbasan të drejtuara nga shefi i atëhershëm Agron Kuliçi në bashkëpunim me forcat e Gardës së Republikës janë nisur në mëngjes drejt Cërrikut për të rivendosur rendin dhe për të grumbulluar armë të cilat gjendeshin në duart e civilëve. Ndërkohë, të pandehurit Arjan Toska, Meti Bozi dhe Roland Xhepexhiu të cilët kanë qënë në dijeni të lëvizjeve të forcave policore drejt Cërrikut, kanë organizuar një grup personash të armatosur me qëllim goditjen e forcave të Policisë.
Ja dënimet për secilin prej anëtarëve të bandës:
Meti Bozi, burgim të përjetshëm për 6 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Arjan Toska, burgim të përjetshëm për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Roland Xhepexhiu, burgim të përjetshëm për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Tomor Buzani, 23 vite burg për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Llazar Bicja, 22 vjet burg për për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Alban Toska, 22 vjet burg për për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Entel Gashi, 22 vjet burg për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Skëndër Cano, me 21 vjet burg për një vrasje dhe 16 plagosje
Bujar Buzani-I penduar, 23 vjet burg, dënimi ulet në 8 vjet burg
MASAKRA E CËRRIKUT NË MARS TË 1997
Për këtë arsye, këta të pandehur kanë shkuar në mëngjesin e datës 23 Maj 1997 në lagjen nr. 3 të qytetit Cërrik dhe kanë takuar të pandehurit: Llazar Bicja, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani, si dhe shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani, Bashkim Buzani të cilët ishin të armatosur dhe qëndronin në një postbllok të krijuar prej tyre, për shkak të hasmërive që kishin me familjen e shtetasit Eduart Peqinit, i njohur me pseudonimin “Mandela”. Të pandehurit Toska, Xhepexhiu dhe Bozi kanë nxitur personat e mësipërm për të goditur forcat e policisë të cilët do të lëviznin nëpër qytet, duke i mashtruar se gjoja këto forca kishin ardhur nga Tirana me qëllim vrasjen dhe përdhunimin e vajzave dhe grave të tyre.
Në momentin kur njëra nga makinat e blinduara të policisë ishin duke kaluar në qendër të qytetit, fluksi i të shtënave në drejtim të forcave speciale të policisë ka qenë maksimal në dy drejtime kryesore. Makina e blinduar është qëlluar me antitank nga i pandehuri Arjan Toska dhe gjithashtu brenda saj është hedhur edhe një granatë nga ana e Sokol Buzanit (aktualisht i vdekur), veprime që kanë shkaktuar djegien e dy prej gardistëve që ndodheshin brenda saj dhe nga flaka janë detyruar personat e tjerë të dalin nga blindi e më pas të qëllohen me armë zjarri duke shkaktuar vdekjen edhe të tre efektivave të tjerë Gardës. Në përpjekje për tu larguar nga vatra e zjarrit, në afërsi të pallatit nr. 1 të qytetit të Cërrikut, në një arë të mbjellë me thekër, është vrarë edhe një efektiv tjetër i Gardës, shtetasi Qemal Mehmeti. Gjithashtu, në këtë ngjarje janë plagosur edhe 16 efektiva të tjerë policie.
Bujar Buzani njëri prej anëtarëve të bandës, gjatë procesit gjyqësor fitoi statusin e të penduarit. Kanë qënë pikërisht dëshmitë e tij që përveç provave të mbledhura nga organi i akuzës ka ndihmuar për zbardhjen e ngjarjes. Duke pranuar të bashkëpunojë me organin e akuzës, Buzani përfitoi uljen e dënimit. Në fund të procesit në shkallën e parë Gjykata vendosi deklarimin fajtor të pandehurin Buzani për akuzën e vrasjes duke dënuar me 22 vite burg, por në bazë të marrëveshjes me Prokurorinë togat e zeza vendosën dënimin e tij vetëm me 8 vite burg.
Viktimat në masakrën e Cërrikut- Efektivë të Gardës së Republikës:
Besnik Sula
Halit Haxhia
Bashkim Mnella
Sali Martini
Qemal Mehmeti
Petrit Ndoi
Të plagosurit në masakrën e Cërrikut:
Gjergj Gjoka
Ded Margjoka
Ferd Laska
Pjeter Nikolli
Petrit Guda
Agron Kuliçaj
Pashk Ndreca
Dritan Hasa
Agim Biberi
Paulin Ndoka
Petrit Nikolli
Luan Prenga
Fari Metaliaj
Petrit Gjoka
Pashk Doda
Sokol Kuça
(jd/shqiptarja.com)