Dëshmia e italianit Salvatore Letizia, person ky me precedentë penale, pritet të zbardhë të gjithë planin për vrasjen e biznesmenit Mentor Lufi. Letizia, në deklarimet paraprake të dhëna në polici ka treguar se kishte mbëritur në Tiranë posaçërisht për të vrarë Lufin. Ai ka treguar se ishte paguar nga Sulku, por burimet nuk bëjnë me dije se sa është shifra e eurove që italiani ka marrë për të kryer këtë vrasje.

Letizia ka rrëfyer se pas kryerjes së vrasjes ai do të shoqërohej me makinë nga Besnik Sulku në drejtim të Rinasit ku do udhëtonte drejt Italisë. Dëshmia e shtetasit italian mund të zbardhë shumë enigma dhe mbi vrasjen e shtetasit tjetër Durim Sulku në Hollandë, pasi aktualisht italiani është i vetmi person që ka mbetur gjallë dhe që mund të dijë diçka rreth konflikteve mes Sulkut dhe Lufit.

Për këtë krim, prokuroria do t’i drejtohet me një letërporosi palës hollandeze për të marrë më tepër informacion rreth vrasjes. Momentalisht Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuse të një ose më shumë personave” kryer në bashkëpunim, ndaj shtetasit Letizia dhe dy vëllezërve Markelian dhe Klevis Doçi. Pritet që sot ose nesër ata të dalin para Gjykatës së Krimeve të Rënda ku do të njihen më masën e sigurisë. Krimi ka si motiv hakmarrjen dhe nëse do të shpallen fajtor të arrestuarit rrezikojnë të dënohen me 25 deri në 35 vite burg.



(v.gj/shqiptarja.com)