TIRANE- 10 ditë pas masakrës ku në lokalin e natës “Ante Grand” në kryeqytet humbën jetën 4 persona, pritet që prokurorët të zbarkojnë në qelinë e Kostandin Xhuvanit, autorit të dyshuar kryesor për ngjarjen.
 
Burime nga grupi hetimor bënë me dije për “A1 Report” se tek Xhuvani do të shkohet me një listë pyetjesh dhe pritet që ai të flasë për herë të parë për ngjarjen, pasi deri në këto momente ai nuk ka dhënë asnjë shpjegim.
 
Kostandin Xhuvani preferoi të heshtë dhe gjatë masës së sigurisë për të, ku Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë arrest me burg ndaj 26-vjeçarit.
 
Sipas të njëjtit burim, në pyetje do të merret dhe shoku i Xhuvanit, Erald Sida i cili gjatë deponimeve të para ka mbajtur qëndrim mohues në lidhje me ngjarjen, dhe ka deklaruar se kur ka ndodhur masakra ai nuk ishte i pranishëm në lokal.
 
Xhuvani dhe Sida aktualisht mbahen në paraburgimin e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë aty ku pritet që ditën e premte më 14 nëntor të mbërrijë dhe prokurori Enklid Gjini, për t’i marrë në pyetje në prani të avokatëve.
 
I njëjti burim tha për “A1 Report” se akuza është në pritje dhe të akt-ekspertimit të predhave që i morën jetën Arbër Demirajt, Edison Jahos, Ena Xhaj dhe shtetasit italian Giampaolo Azzola.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)