TIRANE- Kreu i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj ka reaguar lidhur me atentatin ndaj gazetës satirike "Charlie Hedbo" në Francë, duke theksuar se ngjarje të tilla nuk kanë lidhje me fenë dhe besimin islam. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kreu i KMSH-së tha se ngjarje të tilla janë rrjedhojë e injorancës dhe dënohen nga Kurani e Profeti.
"Këto ngjarje të dhimbshme, nuk kanë lidhje me fenë. Jetën e merr vetëm Zoti, nuk ka të drejtë ta marrë njeri tjetër.Këto ngjarje janë rrjedhojë e injorancës, pasi njerëz nuk e njohin fenë dhe besimin islam"- deklaroi Bruçaj.
Kreu i KMSH tha se gazetarët po goditen nga terroristët sepse po thonë të vërtetën dhe po përpiqen të largojnë mjegullat e ideologjive të rreme.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dënon ashpër sulmin terrorist në zyrat e revistës "Charlie Hebdo" në Paris dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për viktimat e kësaj ngjarjeje.
KMSH thekson se "ne dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë akt barbar ndaj gazetarëve, oficerëve të policisë dhe të lënduarve të tjerë në këtë ngjarje.Kjo masakër dhe ky akt është një nëpërkëmbje arrogante ndaj çdo vlere njerëzore dhe një sulm i ulët e i dënueshëm nga çdo normë morale, fetare e universale. Terrori nuk mund të jetë kurrë pjesë e ndonjë arritjeje apo shpëtimi, terrori nuk prodhon veçse kaos e ligësi. Ai merr jetë njerëzish të pafajshëm dhe është një goditje kundër vlerave demokratike universale dhe vlerave njerëzore".
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i ka shprehur gushëllimet familjarëve të viktimave dhe mbarë popullit francez, si dhe i uron shërim të shpejtë të lënduarve. /ATSH/